Futboll

Kukësi fitoi, por i duhej edhe një gol

Vetëm një gol dhe Kukësi mund të priste biletën e tij për në play of-in e Ligës së Europës. Por skuadra e Armando Cungut nuk ka shkuar dot përtej fitores 2-0 përballë Torpedo Kutaisi në “Elbasan Arena. Ekipi verilindor nuk ka mundur dot të superojë humbjen e parë 5-2 në Gjeorgji, edhe pse në Elbasan ka qenë ndjeshëm superior, duke e kërkuar deri në fund fitoren që mund të jepte kualifikimin.

Ndeshja që në minutat e para respektoi pritshmëritë, Kukësi sulmonte pa ndalim duke e kërkuar golin. Miqtë gjeorgjian nga ana tjetër mbrohen me forca të shtuara në repartin e mbrojtjes dhe tentojnë që me anë të ndonjë kundërsulmi të zënë në befasi mbrojtjen e Kukësit. Përpjekjet e kukësianëve do të shpërbleheshin në minutën e 29’, kur është Rexhinaldo ai që çon në rrjetë topin nga pika e bardhë e penalltisë. Torpedo nga ky moment fillon të ndjejë frikën dhe kërkojë të dalë më shumë përpara.

Në pjesën e dytë Kukësi është akoma dhe më agresiv, duke u hedhur i gjithi në sulm në kërkim të golave që do i siguronin kualifikimin. Në minutën e 75’ është sërish Rexhinaldo dhe po sërish me penallti që çon shifrat në 2-0. Nga ky moment Kukësi fillon realisht të besojë dhe Torpedo friksohet dhe ngjeshët mbrapa për të mos pësuar golin e tretë që do të ishte fatal.

20 minutat e fundit ishin dramatike, me Kukësin që sulmonte dhe kërkonte golin e kualifikimit, ndërsa miqtë nga Gjeorgjia mbrohen dhe kërkojnë të rrezikojnë me anë të kundërsulmeve.

Gjithsesi deri në fund rezultati mbeti 2-0 dhe Kukësi eliminohet, ndërsa Torpedo Kutaisi pret biletën për herë të parë në fazën play of të Europa League. Dështim për skuadrën e Armando Cungut që nuk mundi dot të përsërisë veten, duke shkuar në play of të Ligës së Europës, ashtu siç kishte bërë 4 vite më parë. Tashmë klubi kuksian duhet të bëhet gati për javën e parë të kampionatit që ngre siparin ditën e premte mes Skënderbeut dhe Partizanit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë