Është mbyllur në barazim sfida e fundit e vlefshme për javën e 13-të të Superligës Shqiptare, mes Kukësit dhe Teutës. Ndeshja e zhvilluar në “Selman Stërmasi” ka konfirmuar edhe një herë tjetër krizën te skuadra e Kukësit, që tashmë ka bërë 3 ndeshje pa fitore. Ndërsa Teuta me këtë barazim tregon se do të jetë një kockë e fortë këtë kampionat dhe një rivale deri në fund për Kupat e Europës. Sfida është ndjekur dhe nga një spektator i veçantë, trajneri i kombëtares, Kristian Panuçi.
Në minutat e para, ekipet provojnë që të gjejnë golin dhe të dyja i shkojnë afër, por pa mundur dot të konkretizojnë siç duhet. Me kalimin e minutave Kukësi merr në kontroll ndeshjen, duke u shfaqur më dominues. Por Teuta edhe një herë tregon se është një “nëndetëse” e vërtetë, pasi në momentin më të mirë të verilindorëve gjen goli. Për ekipin e Bledi Shkëmbit shënon Kamara, që përfiton nga një hutim në mbrojtjen e skuadrës. Pas këtij goli, Kukësi kërkon të reagojë menjëherë, por pa sukses, pasi goli i Rexhinaldos do të anulohej për pozicion jashtë loje.
Me rifillimin e pjesës së dytë, Kukësi hidhet i gjithi në kërkim të golit të barazimit. Nuk do të vononte shumë dhe Rexhinaldo gjen rrugën e rrjetës në minutën e 49’. Pas një goditje dënimi, sulmuesi nga Mozambiku hidhet në zonë dhe çon topin në rrjetën e portierit Isli Hidi. Pas barazimit, ekipi i Armando Cungut vihet në kërkim të golit të dytë. Por Rexhinaldo dhe Ethemi janë të pasaktë para portës.
Deri në fund rezultati mbeti i pandryshuar dhe ekipet do duhej të kënaqeshin me nga një barazim. Pas këtij barazimi Kukësi dhe Teuta nuk ndryshojnë pozicionet e tyre në tabelë, me verilindorët në vendin e pestë, ndërsa bregdetarët në vendin e tretë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.