Futboll

Kukësi barazon e akuzon arbitrin

Java e parë e Superiores është mbyllur me dy barazime. Kukësi dhe Laçi barazuan 1-1 në stadiumin “Elbasan Arena”, ku skuadra kuksiane luan ndeshjet si pritëse, pasi stadiumi “Zeqir Ymeri” po rikonstruktohet. Skuadra e trajnerit Cungu kaloi e para në avantazh në fundin e pjesës së parë, kur braziliani Melo shënoi me kokë brenda zonës. Kukësi humbi disa raste të tjera shënimi me sulmuesin boshnjak Harba dhe u ndëshkua në pjesën e dytë nga Laçi. Regi Lushkja devijoi saktë me kokë një kros në zonë dhe barazoi shifrat, që nuk ndryshuan deri në fund. Në këtë ndeshje debutoi me fanellën e Kukësit mbrojtësi Adrian Cuculi, një nga blerjet e bujshme të verës.

Drejtuesit e Kukësit nuk e kanë përtypur dot barazimin dhe pas ndeshjes kanë reaguar zyrtarisht, duke akuzuar gjyqtarin Enea Jorgji se ndikoi në rezultat. Sipas klubit kuksian, gjyqtari ndërkombëtar favorizoi hapur Laçin dhe do të kërkohet që ai të mos gjykojë më asnjë ndeshje te verilindorëve.

Enea Jorgji dhe dy asistentëtët e tij. Kukësi i akuzon për favorizim të Laçit

“Arbitri i Jorgjit, në favor të kundërshtarit! Arbitri i ndeshjes së sotme, Enea Jorgji, tregoi edhe një herë joprofesionalizëm, duke favorizuar në mënyrë të hapur ekipin e Laçit, ashtu siç ka vepruar shumë herë të tjera. Shumë qartë ai nuk dha disa herë goditje dhe faulle për ne, siç ishte dhe rasti i ndërhyrjes së parregullt të Uilliam Kordeiros. Ne do të analizojmë me detaje këtë ndeshje për të nxjerrë dhe përgjegjësitë tona si staf dhe ekip, si dhe do të dërgojmë në Komisionin e Arbitrimit ankimin për këtë arbitër në mënyrë që të mos jetë më gjyqtar në asnjë ndeshje që do të luajë Kukësi”, - shkruhet në deklaratën e klubit kuksian, ndërkohë që trajneri Cungu pas ndeshjes më shumë fajësoi të tijtë për rastet e humbura para portës kundërshtare. Kukësi kërkon të shpallë "non grata" gjyqtarin, i cili dy vite më parë u bë personazh në ndeshjen e titullit kampion mes ekipit verior dhe Skënderbeut. Në atë ndeshje,Jorgji mori hapur vendime pro Kukësit, duke i dhënë penallti ekipit verior dhe dy kartonë të kuq Skënderbeut, si dhe i mohoi ekipit korçar një penallti. 

Ndeshja tjetër, Teuta-Flamurtari, është mbyllur pa gola, me një lojë të ashpër dhe pak tension mes lojtarëve në fushë. Pati edhe raste shënimi, por asnjëra nga skuadrat nuk mudi ta gjente rrugën e rrjetës. Barazimi kënaq më shumë vlonjatët dhe trajneri Ilir Daja pranoi pas ndeshjes se e kënaqi vetëm rezultati, pasi loja e Flamurtarit kishte probleme. Ndeshja e Durrësit ishte e vetmja, ku nuk u shënua asnjë gol.

Lojtarët e Teutës dhe Flamurtarit takohen para ndeshjes 

Java e parë është mbyllur me shumë pak gola, 1 gol për ndeshje, ndërkohë që më shumë se rezultatet ka marrë vëmendje dhuna e stadiumit të Korçës, që ka ngritur edhe një çështje shumë të rëndësishme sa i takon sigurisë në stadiume, pas ligjit që përjashton nga stadiumet Policinë e Shtetit. Kryesojnë pas javës së parë të kampionatit Skënderbeu, Kastrioti dhe Kamza me nga 3 pikë.

Rezultatet e javës së parë

Skënderbeu-Partizani 1-0

Tirana-Kamza 0-1

Luftëtari-Kastrioti 0-1

Kukësi-Laçi 1-1

Teuta-Flamurtari 0-0


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë