Mendim

Kufijtë e Kosovës, Kurz dhe Trump bashkohen kundër Merkelit

Austria duket se i ka kthyer shpinën Gjermanisë, duke mbështetur fuqishëm në Uashington ndryshimin e kufijve të Kosovës dhe shkëmbimin e territoreve me Serbinë.

Gjatë takimit të tyre në Shtëpinë e Bardhë, Sebastian Kurz dhe presidenti Donald Trump kanë konfirmuar se mes cështjeve të tjera kanë biseduar edhe për Kosovën, takim pas të cilit që kancelari austriak doli pro skenarit të shkëmbimit të territoreve.

Ai u shpreh se e sheh dialogun midis presidentit Aleksandër Vuçiç dhe Hashim Thaçi si një zhvillim pozitiv dhe tha se ai është gati të mbështesë idenë për ndryshime territoriale, edhe kjo është një çështje mjaft delikate.

Sebastian Kurz dhe presidenti Donald Trump

Kancelari austriak shkoi edhe më tej dhe sfidoi vullnetin politik të Gjermanisë, duke bërë thirrje që Bashkimi Europian të mos bëhet pengesë për arritjen e një pakti mes Beogradit dhe Prishtinës. Edhe pse nuk iu referua asnjë shteti në veçanti, kancelari 31-vjeçar duket se i referohej në mënyrë të tërthortë fqinjit të Austrisë dhe shtetit më të fuqishëm ekonomik të BE-së: Gjermanisë. "Nëse të dy palët arrijnë një marrëveshje, atëherë evropianët dhe amerikanët nuk duhet të jenë pengesë", tha ai krah presidentit Trump.

Pas takimit, Kurz theksoi po ashtu se SHBA-ja ka shumë ndikim mbi Kosovën dhe ky ndikim duhet të ushtrohet në mënyrë positive. Ai i bëri thirrje Donald Trump të angazhohet më shumë në zgjidhjen e të gjitha konflikteve të hapura midis Kosovës dhe Serbisë.

Mbështetja e Vjenës për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë u sinjalizua në fakt dy muaj më parë, kur Thaçi dhe Vuçiç ishin në një samit të përbashkët në Alpbach të Austrisë, kur hodhën zyrtarisht në tavolinë tezën për “korrigjim kufijsh”.

Sebastian Kurz dhe presidenti Donald Trump

Megjithatë deklarata e Kurz të enjten krah presidentit Trump, erdhi si një sfidë e vërtetë ndaj kancelares Angela Merkel, e cila ka deklaruar vazhdimishtse është kundër “prekjes” së kufijve të Kosovës. Në një letër dërguar në fillim të nëntorit liderit të opozitës, Isa Mustafës, Merkel shkruante se Gjermaninë e shqetësonte lobimi ndërkombëtar për çdo marrëveshje që ndryshon kufijtë e shteteve ballkanike.

“Nga këndvështrimi im është shumë e rëndësishme që Kosova të vazhdojë dialogun me Serbinë me ndërmjetësim e Bashkimit Europian dhe të shtyjë përpara normalizimin e marrëdhënieve. Debatin rreth ndryshimit të kufijve edhe unë, sikurse ju, po e përcjell me shqetësim të madh”, thuhej në letrën e kancelares gjermane.

Edhe pse mbështeti me forcë dhjetë vite më parë pavarësinë e Kosovës, Austria u bë zyrtarisht vendi i parë i Bashkimit Europian që ka dalë pro ndryshimit të kufijve të saj.

Në një vizitë në Kosovë në dhjetor, Kancelari austriak, Sebastian Kurz deklaroi se Vjena do të mbështesë çdo marrëveshje që arrihet midis Prishtinës dhe Beogradit, edhe nëse ajo përfshin ndryshime kufijsh apo shkëmbime territoriale.

Sebastian Kurz dhe Angela Merkel

“Unë kam një qëndrim të qartë, qeveria federale e Austrisë pajtohet me çdo marrëveshje të arritur mes Kosovës dhe Serbisë. Askush nuk duhet të jetë kundër kësaj marrëveshje”, tha Kurz gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Thaçin. Kancelari austriak, vendi i të cilit mban aktualisht presidencën e BE-së, theksoi se nuk do të ketë stabilitet në rajon dhe as perspektivë europiane pa një marrëveshje paqeje mes Kosovës dhe Serbisë.

“Vetëm një marrëveshje paqeje mes dy vendeve do të mund t’i hapte rrugë anëtarësimit të tyre në Bashkimin Evropian”, tha Kurz. “Marrëveshja e arritur do të ketë mbështetjen tonë, edhe nëse do të përfshijë ndryshime kufijsh”, shtoi kancelari duke shkaktuar jo pak habi mes gazetarëve të pranishëm në konferencë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë