Për të nuk ka rëndësi sesi vjen topi. Në ajër apo në tokë, mjafton që të gjejë pak hapësirë dhe ai e shtyn në rrjetë. Kështu ndodhi me Marokun që në minutën e katërt. Moutinho kroson nga një goditje këndi dhe ai ndodhej në vendin e duhur e momentin e duhur.
Pasi ndali i vetëm Spanjën, po i vetëm Cristiano Ronaldo i dha fitoren e parë Portugalisë së tij. Goli i asit portugez vendosi fatet e këtij takimi, që e ngjit Portugalinë në kuotën e 4 pikëve dhe të ketë vetë në dorë fatet e kualifikimit në ndeshjen e fundit përballë Iranit.
Por, në stadiumin “Luzhniki” Ronaldo vendosi edhe një tjetër rekord personal. Pasi barazoi Ferenc Puskas me atë tregolësh të çmendur ndaj Spanjës të premten, portugezi e tejkaloi duke u shndërruar në lojtarin europian që ka shënuar më shumë gola ndërkombëtarë me përfaqësuesen e tij, plot 85 të tillë.
Në moshën 33-vjeçare vitet nuk premtojnë që ai të thyejë rekordin botëror, që mbahet nga iraniani Ali Daei me 109 gola, por arritja nuk është e paktë, duke patur parasysh se në fillim të sezonit që lamë pas, shumë e lanë për të mbaruar.
Por, për të kuptuar se forca e vërtetë e Ronaldos, përtej talentit, qëndron tek vullneti i hekurt mjafton të kujtojmë rrëfimin e Patrice Evra. Mbrojtësi francez ka luajtur me portugezin tek Manchester United.
Evra kujton rastin e vetëm kur Ronaldo e kishte ftuar për darkë në banesën e tij.
“Shkova atje dhe në tryezë u shfaq vetëm sallatë, pulë dhe ujë. Mendova se pas këtyre do të dilte ndonjë pjatë tjetër. Isha shumë i lodhur dhe kishim shpenzuar shumë energji në stërvitje. Por asgjë nuk doli më”, tregon Evra.
Pasi këshillon me shaka që nëse u rastis që të ftoheni për darkë a drekë nga Ronaldo, të shkoni me “bukë me vete”, francezi konfirmon atë që të gjithë e dinë sot; stërvitjen e çmendur të portugezit.
“Hëngri dhe më pas mori një top dhe filloi të zhonglonte nëpër shtëpi. Kur e pashë se çfarë po bënte mbeta i shtangur. Po stërvitej edhe pas stërvitjes. Kur la topin mendova se do të qetësohej, por jo. Doli tek pishina dhe vazhdoi me seancën e notit. Ky njeri është i çmendur mendova”, shton më tej.
Evra flet edhe për një episod që tregon më së miri si e ka ndërtuar Ronaldo karakterin prej fituesi.
“Ishte në fillimet e veta tek Manchester. Po luante ping-pong me Ferdinand dhe humbi. Ne nisëm të gjitha ta tallnim dhe e pamë që e vuante shumë këtë pjesë. Ditën tjetër mësuam se kishte blerë një ping-pong në shtëpi dhe stërvitej me një profesionist. Pas dy javësh sfidoi Rio Ferdinand, që ishte më i miri nga ne në këtë sport dhe e mundi atë”, deklaroi mbrojtësi i majtë francez.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.