Analize

Ku ndryshon 14 janari nga 17 maji?

Nga Mentor Kasa - Marrëveshja e firmosur mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste më 14 janar për reformën zgjedhore po krahasohet me marrëveshjen e 17 majit të 2017. Lulzim Basha thotë se nuk ka asgjë të përbashkët mes dy pakteve, por kritikët e tij këmbëngulin se pakti është e njëjta gjë, madje edhe më keq.

Por, ku ngjasojnë e ku dallojnë dy marrëveshjet? Në mënyrën sesi u gatuan, dy marrëveshjet ngjasojnë fort. Njësoj si marrëveshja e parë edhe e dyta nuk erdhi përmes një procesi transparent por si një “rrufe në qiell të hapur” në kulmin e përballjes politike me akuza të ashpra që palët kanë adresuar kundrejt njëra-tjetrës para firmosjes së tyre.

Më 17 maj 2017 Partia Republikane dhe Partia Agrare Ambientaliste kishin thirrur një tryezë gjithëpartiake për të nxjerrë vendin nga kriza dhe Partinë Demokratike nga çadra, ku ishte ngujuar që prej 18 shkurtit të po atij viti. Nga çadra e ngritur poshtë dritares së zyrës së Ramës, Basha foli për “Republikën e Re”.

Takimi i thirrur nga Fatmir Mediu dhe Agron Duka nisi rreth orës 20:00 dhe nga pesha elektorale e nismëtarëve të kësaj tryeze, pritshmëritë se do të arrihej diçka konkrete ishin të pakta. Por, gjithçka ndryshoi kur Rama dhe Basha larguan të gjithë aleatët e tyre dhe u ulën kokë më kokë, për të dalë me “tymin e bardhë” të arritjes së një marrëveshjeje pak pas mesnatës. Marrëveshja bazohej në paketën “McAllister+”, sipas 20 pikave të propozuara nga zyrtari i Bashkimit Europian, David McAllister.

Por nëse atëherë opozita e ruajti pushtetin e saj në Parlament, në marrëveshjen e re ajo hyri si palë e ftuar me LSI në krah (në një kohë kur në marrëveshjen e parë ajo u mundua të ishte në rolin e negociatorit).

17 maji ishte një pakt ekskluziv Rama-Basha, ndërsa 14 janari është më gjithëpërfshirës duke institucionalizuar Këshillin Politik, ku bën pjesë edhe Petrit Vasili dhe Rudina Hajdari e opozitës së re. Tani nuk janë përballë në të njëjtën tryezë vetëm PD e PS, por është edhe Lëvizja Socialiste për Integrim, që kur drejtohej nga Ilir Meta, e ka qortuar disa herë marrëveshjen e 17 majit se ishte një pakt mes Ramës dhe Bashës për të goditur LSI-në dhe partitë e tjera të vogla.

Këtij qëndrimi të Metës i dha në një masë të mirë të drejtë edhe fushata zgjedhore që pasoi marrëveshjen, ku akuzat e ndërsjellta mes Ramës e Bashës u venitën dhe dolën më shumë në pah akuzat e te dyve që shënjestronin Lëvizjen Socialiste për Integrim. Rama e cilësonte “parti të tepsisë”, duke nënkuptuar se objektivi i kësaj force politike ishin punësimet në administratë, ndërsa Basha e etiketonte Ilir Metën si “Tregtari i Venedikut” dhe LSI-në një “SHPK”.

Tani në tryezë me Petrit Vasilin, LSI ka mundësinë që në mos ta parandalojë, ta kundërshtojë një pakt të tillë. Por, veç LSI-së, në lojë janë edhe deputetët e asaj që quhet opozita parlamentare, të cilët përfaqësohen nga Rudina Hajdari. Hajdari ishte e vetmja që nuk kishte hedhur firmën në marrëveshjen për kuadrin e punës, pasi në të nuk reflektohet kërkesa kryesore që kanë deputetët e opozitës parlamentare; që është ndryshimi i sistemit zgjedhor.

Në 17 maj Partia Demokratike u katapultua në Qeveri, përmes gjashtë ministrave teknikë dhe zv.Kryeministrit, që do të ishin rojtarë të procesit zgjedhor të 25 qershorit. Ndërsa në marrëveshjen e re ende nuk ka shenja të një qeverie tranzitore, por flitet ndoshta për zgjedhje të parakohëshme, çka nuk ndodhi më parë. Edhe pse këtë sot askush nuk mund ta thotë me siguri se do të ndodhë, as Basha, madje as vetë Rama.

Për 17 majin, Lulzim Basha thotë se Rama nuk kishte firmosur me ndershmëri në këtë pakt. Sipas tij marrëveshja nuk u respektua dhe për më tepër që u nënshkrua pasi ishte ngritur e vënë në zbatim skema e blerjes së votave. Por, cila është garancia e Bashës që këtë herë do të jetë ndryshe? Përveç protestave të qytetarëve, që ai nënkuptoi në bashkëbisedim me gazetarët, a mund të jetë garanci dhe LSI me Rudina Hajdarin që nëse Rama luan pisët ai të mos jetë fajtori i vetëm?

Shpresat janë edhe tek reforma zgjedhore, ndoshta edhe tek kurbani që mund të bëjë Rama tek ata që Basha i akuzon për vjedhje të votave dhe janë një kusht nga opozita. Kusht është edhe që Edi Rama të mos jetë kryeministër në zgjedhjet e reja. Por deri sa palët të dalin në një produkt final, e vetmja risi është LSI. Ndoshta më shumë si garante e marrëveshjes së dy partive të sistemit të vjetër, për të ruajtur po sistemin e vjetër.

Një vit më parë opozita dogji mandatet me kërkesën për të shëmbur sistemin. Një vit më pas opozita po kthehet në tryezë, me kushtet e para djegies së mandateve, duke ruajtur sistemin. Në fund të fundit, askujt nuk i interesojnë listat e hapura, sistemi mazhoritar, konkurrenca brenda partive. Të gjithë kryetarët e Këshillit - përjashto opozitën e re që nuk është as parti, e as grupim - humbasin pushtetin mbi partitë dhe grupet parlamentare nëse të zgjedhurit e rinj vijnë si produkt i konkurrencës së votës dhe jo renditjes që përcaktojnë pikërisht kryetarët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë