Ne rrjet

Ku dallojnë fetë nga sektet dhe përse na frikësojnë më shumë këto të fundit

Nga Jonny Tomson- Në vitin 2004, teologu Paul Olson intervistoi 2.400 banorë të shtetit të Nebraskës në SHBA të zgjedhur rastësisht, se sa rehat do të ndiheshin nëse fqinji i tyre do t’i bashkohej një sekti apo një Kishe të re të krishterë. Më shumë se 80 për qind e të anketuarve, thanë se nuk do të ndiheshin rehat të jetonin me një fqinj të tillë, krahasuar me vetëm 6.1 për qind të tyre që nuk do të ndiheshin komodë me një fqinj që ishte bërë pjesë e një Kishe të re të krishterë.

Synimi i Olson, ishte të tregonte atë që sociologët e kanë theksuar prej disa kohësh: Fjala “sekt” bart një ngarkesë shumë negative. Ajo përdoret për të denigruar dhe shpifur mbi besime të caktuara fetare apo për ta nxitur shpërbërjen e një grupimi të fshehtë sa herë që ai shfaqet më shumë në sytë e publikut.

Madje historiani J.Gordon Melton ka argumentuar se sektet kanë si tipar të përbashkët paligjshmërinë. Ne quajmë sekt atë që e kundërshtojmë, dhe që besojmë se është përtej fesë “së duhur”. Dhe ai ka deri dikur të drejtë. Në fillim, nuk ka shumë dallime midis një grupimi fetar standard dhe një sekti.

Që të kërkojnë angazhimin shpirtëror, që të dyja përfshijnë një lloj udhëheqësi ose profeti, dhe të dy kanë një numër ndjekësish në madhësi të ndryshme. E megjithatë, teologët dhe sociologët e përdorin ende fjalën sekt për të përcaktuar grupet me disa elemente të përbashkëta.

Ndaj lind pyetja: A ishin fetë e sotme dikur sekte, dhe a janë ende të tilla në thelbin e tyre?

Hare Krishna kishte Bhaktivedanta Suami, familja Manson kishte Charles Manson, ndërsa Tempulli i Popullit kishte si udhëheqës Jim Jones. Në rrafshin teologjik, të tre udhëheqësit përfaqësojnë botë të ndryshme.

Por sa i përket personalitetit, kanë një ngjashmëri të madhe në aspektin e  karizmës që zotëronin. Ata mblodhën rreth vetes shumë mbështetës, dhe siguruan themelin kryesor që ishte i nevojshëm për të zgjeruar dhe mbështetur sektet e tyre gjatë atyre viteve të vështira e të hershme. Por edhe Jezu krishti ishte një udhëheqës karizmatik.

Ai mblodhi rreth vetes dishepuj dhe tërhoqi turma të mëdha që dëgjonin predikimet e tij. John Calvin (Kalvinimi), John Wesley (Metodizmi) dhe George Fox (Kuakersat), ishin që të gjithë eruditë dhe bindësë, dhe sektet e tyre ishin të suksesshme kryesisht për shkak të vetive  personale.

Po ashtu edhe Buda, Muhamedi dhe Mbreti David janë përshkruar që të gjithë si individë karizmatikë. Madje, sociologu Max Weber argumenton se karizma është një kërkesë thelbësore për autoritetin dhe legjitimitetin. Pa karizmën e një lideri, një lëvizjeje fetare do t’i mungonte çdo lloj legjitimiteti.

Megjithatë, sot karizma individuale e udhëheqësve fetarë nuk është aq e rëndësishme sa ajo e një udhëheqësit të një sekti. Myslimanët nuk shkojnë në xhami, sepse imami i tyre di sesi të bëjë një predikim të mirë. Dhe të krishterët do të shkojnë shpesh në kishë, pavarësisht një meshtari monoton.

Fetë moderne nuk mbështeten tek karizma por tek besimi dhe dogma. Kulti i Mithras, një rivale e Krishterimit të hershëm, u ndesh në tempujt e fshehtë të njohur si Mithraea. Anëtarët e saj përdornin shtërngime duarsh në formë kodesh të fshehta dhe organizonin gosti sekrete. Arkeologët kanë gjetur të dhënave të testeve të vështira për ithtarët e rinj, që mund të përfshinin djegiet në trup, rrahjet etj. Përtej kësaj, historianët nuk dinë shumë për kultin e Mithras, dhe kjo pjesërisht sepse sektet karakterizohen nga fshehtësia e tyre.

Nga frika e persekutimit, të krishterët e hershëm mbajtën për shekujt me radhë mesha klandestine në shtëpi private. Librat dhe praktikat e tyre të shenjta, ishin po aq të ndryshme sa sektet e vogla. Në fakt, letrat e Palit ishin krijuar enkas për të diktuar praktika ortodokse për të gjithë në të ashtuquajturin Krishterim.

Edhe Islami dhe Judaizmi, i patën fillesat e tyre si grupe ekskluziviste në një kundërvënie  sfiduese ndaj rendit ekzistues. Muhamedi ishte një hanif, dhe ai hodhi poshtë të dyja besimet ekzistuese abrahamike dhe politeizmin arab. Zoti dikur konsiderohej një Perëndi tjetër - një Zot luftëtar - që rivalizonte të tjerët.

Më vonë në shekullin e 15-të, Guru Nanak hodhi poshtë ortodoksinë hindu dhe myslimane, dhe themeloi fenë Sikh. Por me përjashtimin e Shientologjisë (që është në kufirin midis sektit dhe fesë), nuk është e saktë që fetë e sotme të përshkruhen si të fshehta.

Krishterimi u ushtrua pas dyerve të mbyllura për shkak të periudhave të herëpashershme të persekutimit nga romakët. Megjithatë, Islami, Judaizmi dhe Budizmi u predikuan hapur. Ata kërkonin të konvertuarit me krenari dhe ndonjëherë u përdor edhe forca. Është e vërtetë që fetë e sotme ruajnë ende sekrete.

Kështu Vatikani ka një bibliotekë plot me tekste misterioze. Por në përgjithësi feja e organizuar është shumë e hapur. Ajo është dominuese dhe shtrihet  kudo. Edhe fqinji juaj mund të jetë fetar! Arsyeja pse kaq shpesh i imagjinojmë sektet si grupime të liga, është se ato përfshijnë shpeshherë praktika mazokiste, rituale të rrezikshme të anëtarësimeve të reja apo truke psikologjike të dëmshme.

Sektet ku anëtarët izoloheshin plotësisht nga bota, kanë qenë të njohura për inkurajimin e vetëvrasjes dhe përdorimin e torturës. Gjithsesi, nuk është e vështirë të vihen re edhe një mori sjelljesh toksike, të cilat në një moment a tjetrin, fetë botërore e kanë përdorur apo imponuar ndaj ndjekësve të tyre.

Puritanët e krishterë që fshikullojnë veten, xhainët që vdesin nga uria dhe gjymtimi i organeve gjenitale femërore, janë që të gjithë shembuj ku teologjia është përdorur për të dëmtuar besimtarët. Nëse e zgjerojmë termin “toksike” për të përfshirë abuzimin seksual dhe fizik nga udhëheqësit fetarë, atëherë për të vërtetuar këtë pretendim kemi të dhëna mijëravjeçare.

Kultet shpërlajnë dhe manipulojnë trurin e ndjekësve të tij. Edhe praktikat e besimeve të mëdha fetare, mund të shpëlajnë trurin dhe të manipulojnë individët, por nëse duam të mos e demonizojmë aq shumë fjalën ‘sekt’, ndoshta duhet t’i identifikojmë ato sjellje si sektare, duke pohuar se vetë feja nuk është e tillë. Në rast se dështojmë ta bëjmë këtë, mund të detyrohemi të biem dakord me përkufizimin e George Melton. Sektet janë thjesht fe që nuk na pëlqejnë.

Burimi: Big think. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë