Futboll

Kombëtarja, kthehen Memushaj e Basha, konfirmohet Lilaj

Munguan në miqësoret e fundit me Kosovën dhe Ukrainën, por për ndeshjet e Ligës së Kombeve me Izraelin dhe Skocinë, dy mesfushorët Migjen Basha dhe Ledian Memushaj do të jenë pjesë e listës së trajnerit Kristian Panuçi. Kombëtarja ka nevojë për përvojën e këtyre dy lojtarëve në repartin e mesfushës, ku Basha e bën shumë mirë kontrollorin, kurse Memushaj bën lidhjen e këtij reparti me sulmin.

Migjen Basha kaloi në merkaton e verës në kampionatin grek, tek Arisi, pas përvojës me Barin në Serinë B. 31-vjeçarit, sipas shtypit grek, i ka shkuar ftesa zyrtare nga Kombëtarja në klubin e ri dhe ai do të jetë pjesë e kuqezinjve në grumbullimin për dy ndeshjet e muajit shtator. Basha mungoi në dy miqësoret e fundit të Shqipërisë, edhe pse luante rregullisht me Barin, madje ishte kapiten i tij. Trajneri Panuçi nuk dha shpjegime për mungesën e Bashës, por la të nënkuptohej se do të testonte të rinjtë, siç bëri realisht. Ai e di shumë mirë se Basha është ende në gjendje t’i shërbejë Kombëtares dhe e ka në listë. Mesfushori ka një përvojë të gjatë, pasi është aktivizuar me ekipe të ndryshme në Itali, në Serinë A dhe Serinë B, siç janë Torino, Atalanta, Frozinone, Rimini, Komo dhe Bari.

Basha dhe Memushaj ndaj Italisë

Një tjetër rikthim në Kombëtare do të jetë edhe ai i Ledian Memushajt, i cili nuk ishte grumbulluar më nga trajneri Panuçi që pas miqësores me Turqinë, ku vlonjati u ndëshkua edhe me karton të kuq. Trajneri italian mund të justifikohet me faktin se Memushaj ka qenë i dëmtuar kohët e fundit dhe se kishte luajtur pak me Beneventon sezonin e fundit. Tani vlonjati është kthyer te Peskara dhe gëzon një formë të mirë. Edhe Memushaj, ashtu si Basha, ka një përvojë të konsiderueshme dhe i bën punë trajnerit Paunuçi me karakteristikat që ka, pasi është ndër të vetmit që bën lidhjen e mesfushës me sulmin. Memushaj, 31-vjeçar, është gjithashtu një ekzekutues mjaft i mirë i goditjeve standarde dhe për kuqezinjtë është një element i domosdoshëm.

Ftesën për t’u grumbulluar me Kombëtaren e ka marrë edhe mesfushori korçar, Sabien Lilaj. E ka konfirmuar vetë lojtari për Gazeta Si: “Po, më ka ardhur ftesa nga Kombëtarja”, - ka thënë shkurt Lilaj, i cili pak muaj më parë kaloi në Azerbajxhan, te skuadra e Gabalas. Ai luan rregullisht me këtë ekip dhe është një nga lojtarët kryesorë, ndërkohë që edhe në Kombëtare është një alternativë e mirë për trajnerin Panuçi, pasi është në kulmin e karrierës së tij.

Sabien Lilaj

Veç këtyre tre lojtarëve, për mesfushën trajneri italian ka të sigurt edhe Ylrer Ramadanin, Emanuele Ndojin dhe Taulant Xhakën. Ky i fundit është kthyer nga dëmtimi, kurse Burim Kukeli dhe Amir Abrashi nuk janë rikuperuar ende.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë