Politike

Kryeministri Rama: Shkarkim i menjëhershëm nga detyra për Vlora Hysenin

Kryeministri Edi Rama ka reaguar me anë të një postimi në “X” për masat e vendosura ndaj kreut të SHISH, Vlora Hyseni.

Në reagimin e tij, ai ka paralajmëruar shkarkim të menjëhershëm nga detyra për Hysenin, ndërsa në momentin që ai do të kthehet në Tiranë, do të zgjidhet dhe kreu i ri i SHISH.

Rama momentalisht ndodhet në Nju Jork, në Asamblenë e Përgjithshëm të OKB-së

“Jam informuar lidhur me masën e arrestit shtëpiak që SPAK-u ka nxjerrë për drejtoren e Shërbimit Informativ të Shtetit, e pres që çdo dyshim i organit të akuzës të hetohet dhe zbardhet deri në fund përmes procesit të pavarur gjyqësor. Përtej respektit për punën dhe për personin e Vlora Hysenit, si edhe po ashtu përtej vlerësimeve të vazhdueshme, që ajo ka marrë nga agjencitë partnere si drejtuese e shërbimit inteligjent shqiptar, rruga pa kthim që kemi zgjedhur është rruga e pavarësisë së organeve të drejtësisë për të hetuar e gjykuar këdoqoftë, pavarësisht statusit social apo funksionit publik”, thotë Rama.

Por po ashtu, shton ai, është e pashmangashme mesa duket, që çdo hetim apo masë e marrë nga drejtësia në adresë të personave publikë, të kthehet në një motivim për të grirë mish njeriu në mexhelisin politik e mediatik dhe për të thirrur “litarin” si në sheshet e ekzekutimit mesjetar, kohë përpara sesa gjykata të thotë fjalën e saj.

“Çdokush është i pafajshëm deri në gjykimin përfundimtar po askush nuk është mbi ligjin në asnjë rast e për asnjë arsye, kështu që unë i jam falenderues Vlora Hysenit për çdo gjë që ka bërë si duhet në shërbim të Shqipërisë, ndërsa për gjithçka tjetër që ka të bëjë me çështjen e sapohapur nga organet e drejtësisë, qëndrimi im mbetet po ai i ditës së parë të Reformës në Drejtësi:

Pafajësia ose fajësia e një bashkëpunëtori të vendosur nën akuzë është një çështje individuale përballë prokurorisë e gjykatës dhe kjo shumicë qeverisëse me mua në krye, i mbetet besnike këtij qëndrimi duke mos hyrë në meritën e asnjë çështjeje të drejtësisë dhe duke mos bërë avokatinë e askujt që përballet me drejtësinë”, thotë Rama.

Kryeministri shkruan se lirimi nga detyra i drejtores së shërbimit është i menjëhershëm, e sapo të kthehet në Tiranë dhe në konsultim me Presidentin e Republikës, do të zgjidhet drejtuesi i ri i Shërbimit Informativ të Shtetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë