Ne rrjet

Kryeministri holandez nuk vizitoi nënën që po i vdiste për shkak të masave ndaj Covid-19

Kryeministri holandez Mark Rutte nuk ka mundur të vizitonte nënën e tij javën e fundit përpara se të ndërronte jetë për shkak të kufizimeve të koronavirusit.

Një zëdhënës i kreut holandez tha se Rutte u detyrua të thyente karantinën që të qëndronte me të natën e saj të fundit në këtë botë.

Rutte njoftoi të hënën se nëna e tij, 96-vjeçarja Mieke Rutte-Dilling, kishte ndërruar jetë në 13 maj.

“Përveç trishtimit të madh dhe të gjitha kujtimeve të dashura, familja ime dhe unë gjithashtu kemi një ndjenjë mirënjohjeje që u rritëm krah saj”, shkroi ai. “I kemi dhënë lamtumirën në ceremoni të ngushtë familjare dhe shpresojmë që të mund ta bëjmë paqe me këtë humbje të madhe në të ardhmen e afërt”, deklaroi Rutte.

Njoftimi i Rutte vjen pasi figura të tjera politike janë përballur me pyetje në lidhje me sjelljen e tyre gjatë karantinës.

Skandali i fundit ndodhi në Mbretërinë e Bashkuar, pasi u zbulua se Dominic Cummings, ndihmësi kryesor politik i kryeministrit Boris Johnson, kishte udhëtuar 260 milje në të gjithë Anglinë, në një kohë kur publikut po i kërkohej të mos linin shtëpitë e tyre.

Zëdhënësi i Rutte tha të martën se kryeministri Hollandez “zbatoi të gjitha masat e izolimit dhe nuk e vizitoi nënën e tij për më shumë se tetë javë”.

“Sidoqoftë, masat e kufizimit kanë lënë hapësirë ​​për t’i thënë lamtumirën një anëtari të familjes. Kryeministri qëndroi me nënën e tij gjatë natës së saj të fundit”, tha ai.

Holanda vendosi kufizime më shumë se dy muaj më parë, në mes të marsit, për të parandaluar përhapjen e virusit. Deri të martën, koronavirusi ka prekur më shumë se 45,000 njerëz në Holandë dhe ka vrarë më shumë se 5.800, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins.

Holanda ka qenë duke lehtësuar ngadalë kufizimet, me shkollat ​​e mesme, kafenetë dhe restorantet që pritet të rihapen në qershor.

Më Shumë