Drejtësia

SPAK merr të pandehur Kreshnik Hajdarin për ‘falsifikim të formularit të dekriminalizimit’

Gazeta Si - Kryebashkiaku i Kuçovës, Kreshnik Hajdari është marrë i pandehur nga SPAK, i cili i ka komunikuar këtë të mërkurë akuzën për "falsifikim të formularit të dekriminalizimit".

Një ditë më parë, Hajdari i shpëtoi heqjes së mandatit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ndërsa sot pozita e tij është vështirësuar me komunikimin e akuzës nga prokurorët e posaçëm. Ankimimi u bë nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”.

Një ditë pasi fitoi betejën me Prokurorinë e Përgjithshme në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, i cili vendosi që të vijonte detyrën e tij si kryebashkiak i Kuçovës, pavarësisht dënimit të padeklaruar në Greqi, Kreshnik Hajdari është paraqitur mëngjesin e kësaj të mërkure në SPAK.

Seanca e marrjes në pyetje ka zgjatur deri në orën 11:30, ndërsa avokati i tij Theodhori Sollaku bëri të qartë se klienti i tij është pyetur mbi një kallëzim, "por nuk është marrë i pandehur".

Verifikimet nisën pas komfirmimit se Hajdari nuk kishte deklaruar një dënim në shtetin grek sipas ligjit për dekriminalizimin, ku Sollaku u shpreh se nuk e deklaroi, "pasi nuk kishte vlerë".

Kryetari i Bashkisë së Kuçovës rezulton se nuk ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit një dënim ndaj tij me 4 muaj burg në vitin 1999 kur ka qenë minoren nga Gjykata e Janinës në Greqi për kalim të paligjshëm të kufirit.

Një ditë më parë, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve nuk ia hoqi mandatin duke argumentuar se vepra penale nuk hyn në atë kategori që e pengon të zgjidhet si funksionar.

Por sipas ligjit të dekriminalizimit, çfarëdo vepër penale duhet të deklarohet në formularin e vetëdeklarimit për funksionarët.

Gjykata në Janinë, e ka gjetur fajtor Hajdarin për hyrje në territorin grek në mënyrë të paligjshme dhe e ka dënuar në 23 qershor të vitit 1999 me “masë riedukuese të qortimit”, pasi në atë vit, kryebashkiaku i zgjedhur ka qenë vetëm 17 vjeç.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë