Drejtësia

Nën akuzë për korrupsion zgjedhor / Shtyhet seanca paraprake për kryebashkiakun e Rrogozhinës, shkak mungesa e prokurorit

Gazeta Si - Edison Memolla nuk është paraqitur në seancën paraprake të kësaj të mërkure në GJKKO, ku është nën akuzë për “korrupsion aktiv” në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit 2022.

Edhe pse përfaqësohej nga avokati i tij Plarent Ndreca, gjykata vendosi të shtyjë seancën në datën 24 nëntor, për shkak të mungesës së prokurorit të çështjes.

Kryebashkiaku i Rrogozhinës do të paraqitet sërish në GJKKO pas 9 ditësh për vendimin që do të merret lidhur me kërkesën e SPAK, e cila akuzon Memollën për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.

Disa ditë më parë, prokuroria ka përfunduar hetimet dhe ka kërkuar dërgimin për gjykim të procedimit penal nr.57 të vitit 2022, në ngarkim të të pandehurve: Edison Memolla me detyrë Kryetar i Bashkisë Rrogozhinë, Ndriçim Tafxhafa, Blerim Xhamani dhe Isuf Tosku.

Memolla është marrë i pandehur për “korrupsion në zgjedhje” dhe konkretisht bëhet fjalë për zgjedhjet e pjesshme të vitit 2022 në Bashkinë e Rrogozhinës në lidhje me një material audio.

Memolla, në atë kohë kandidat për Kryetar i Bashkisë Rrogozhinë, dëgjohet teksa ndikon tek elektricisti Blerim Xhamani, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor.

E gjithë kjo bëhej me qëllim që qytetari të votonte në favor të tij në zgjedhjet e pjesshme lokale të datës 6 mars 2022.

SPAK thotë se hetimet gjithashtu konfirmuan se Memolla komunikon me shtetasin Blerim Xhamani, për punësime në Bashkinë Rrogozhinë, në këmbim të votës dhe se i pandehuri tjetër, Ndriçim Tafxhafa i ka premtuar një shtetaseje për shlyerje të detyrimeve ndaj OSHEE dhe strehim, duke i kërkuar votën.

Gjithashtu SPAK thotë se Blerim Xhamani dhe i pandehuri tjetër Isuf Tosku kanë falsifikuar edhe të dhënat e procesverbalit të ndërprerjes së energjisë elektrike, duke paraqitur të dhëna të rreme, pasi nuk ia kanë ndërprerë në të vërtetë energjinë abonentit debitor.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë