Njerez

Kromi, bekimi dhe mallkimi i Bulqizës

Mentor Kasa - Për të shkuar në Bulqizë nuk të nevojitet as udhërrëfyes, as teknologjia GPS. Mjafton që pasi të lësh Rrugën e Kombit në degëzimin e Milotit të ndjekësh kamionët e kromit që shkojnë e vijnë në zonën e Matit. Ata janë udhërrëfyesit më të pagabueshëm që të tregojnë rëndësinë që ka industria e nxjerrjes së kromit për qytetin e minatorëve.

Pasi lë tabelën që tregon se je duke dalë nga territori i Bashkisë së Klosit, ke lënë edhe gjelbërimin. Përpara të shfaqen male e gurore të zhveshura nga bimësitë dhe tek-tuk ndonjë bari të gatshëm për të të ndihmuar për orientim. Ne nuk kishim nevojë për një të tillë, pasi rruga e vetme e asfaltuar në zonë të çon drejtpërdrejtë në Bulqizë.

Shenjat e para që je pranë qytetit të minatorëve të shfaqen që në Qafën e Buallit, ku si tabelë orientuese, veç sinjalistikës rrugore, të shfaqet edhe një masiv gurësh, mbetje të procesit të krom-nxjerrjes nga kompanitë që operojnë në minierën më të madhe shqiptare.

Bulqiza është e ndarë në dy pjesë, në qytetin e vjetër dhe qytetin e ri. Nëse tek ky i fundit nuk do të ishte ndërtuar një pallat i ri tetëkatësh, vështirë se një vizitor që ndalonte për herë të parë në këto anë do të kuptonte se cili ishte qyteti i vjetër dhe cili ishte qyteti i ri.

Në qytetin e vjetër janë të gjitha institucionet e pushtetit vendor dhe atij qendror. Këtu ishte edhe ndalesa jonë e parë. Në pedonalen e re të qytetit gjallëria nuk mungonte dhe mes atyre që shëtisnin në këtë pjesë hasëm edhe një grup kinezësh.

“Miniera, miniera!”, thonë shkurtimisht kur i pyetëm se çfarë i lidhte ata me Shqipërinë dhe me këtë qytet të thellë të Shqipërisë. Ata u larguan nxitimthi ndërsa ne më vonë mësuam se ishin pjesë e një grupi më të madh që erdhën në Shqipëri pak kohë më parë si të kontraktuar nga një kompani private shqiptare e nxjerrjes së kromit për hapjen e galerisë numër 9.

Në pedonale flitej ende për dhjetra personat e helmuar dhe megjithëse për autoritetet, uji ende nuk ishte fajtori për këtë situatë, nëpër baret në krah të shëtitores kishte nga ata që nuk e konsumonin ujin e rrjetit.

Iu drejtuam spitalit të qytetit, aty ku kishin marrë ndihmën e parë mbi 130 persona të helmuar. Pasi na zvarritën e përcollën sa andej-këndej, arritëm që të mësonim se nuk kishte asnjë person të shtruar për shkak të helmimit, por po atë ditë, një grup prej 13 personash, banorë të qytetit kishte marrë mjekim për të njëjtat simptoma.

Helmimi e kishte vënë në qendër të vëmendjes mediatike qytetin e vogël, ku një fytyrë e huaj dallohet lehtë. Pritja miqësore nuk mungon, por ajo zbehet në momentin që nisin pyetjet, jo vetëm brenda zyrave shtetërore, por edhe tek qytetarët e thjeshtë.

Biseda e ditës është helmimi. Nga bashkia dhe spitali nuk pranojnë që të fajësojnë ujin për këtë, megjithëse flasin për masat e ndërmarra fill pas paraqitjes në spital të grupit të parë të personave të helmuar. “Ujësjellësi ndërpreu furnizimin me ujë dhe këshilloi qytetarët që të mos e konsumojnë atë deri në një vendim të dytë. Për 24 orë uji u derdh në luginën përballë për të pastruar tubacionin, ndërsa qytetarëve u ofrua ujë me bote”, thonë nga ujësjellësi i Bulqizës.

Qytetarët konfirmojnë se pas helmimeve të para ujësjellësi kërkoi që uji i rubinetit të mos konsumohej dhe çezmat të liheshin hapur. Por, ata shtojnë se ujin e kanë blerë nëpër dyqane dhe furnizimi me bote ka ardhur me vonesë, e për më tepër sasia ka qenë e pamjaftueshme për të gjithë qytetin e vjetër.

Bashkia, që ka në varësi ujësjellësin sipas reformës së fundit territoriale, nuk nxitohet që të fajësojë ujin për helmimin. Zyrtarët e këtij institucioni citojnë analizat paraprake të Institutit të Shëndetit Publik, që thonë se nuk kanë gjetur gjurmë helmimi, por nënkuptojnë se nevojiten analiza të tjera më të detajuara.

Nëse për institucionet uji nuk është fajtori, për pjesën dërrmuese të qytetarëve po. “Ça na helmoi?! Uji! Tubacioni ndodhet në mes të galerive të kromit. Kushedi ça ka ndodhur tek kjo pjesë dhe e kemi pirë ne këtu poshtë”, thotë një djalë i ri, që nuk pranon të identifikohet, por në dukje më i guximshmi nga një grup prej 4 personash që takuam në hyrje të spitalit.

Uji vjen nga Maja e Dhoksit dhe pasi përshkruan disa qindra metra nëpër galeritë e kromit, mbërrin në qytetin e vjetër, i ngritur nën këmbët e malit, ku fillimisht u ndërtua miniera, pak pas Luftës së Dytë Botërore. Shumica drejtojnë gishtin për nga galeria A dhe D. Një ish-profesor kimie në Bulqizë, që thotë se aktualisht jeton në Tiranë, por në Bulqizë i pëlqen të kthehet në pranverë dhe verë na thotë një hipotezë interesante se nga ka buruar helmimi.

“Ndonjë sasi tritoli tek galeritë ka mbetur pa shpërthyer prej kohës. Ajo është dekompozuar dhe më pas është marrë nga rrjedhat e ujit nëpër galeri. Një pjesë e këtyre rrjedhave hyjnë tek tubacioni i ujit të pijshëm, që është i çarë për shkak të amortizimit. Pastaj, rolin e kryen klori. Klorifikimi i ujit shkakton një reaksion zinxhir me lëndën e dekompozuar të tritolit duke e bërë ujin helmues. Me sa jam në dijeni unë, simptomat për një helmim të tillë flasin”, na shpjegon ai.

Spitali i Bulqizes

Por, ka nga ata që fajësojnë të tjerë faktorë. “Nëse do të ishte uji, do të helmoheshim të gjithë. Edhe ne atë ujë kemi pirë, pse s’jemi helmuar”, na thotë një tjetër djalë i ri, që iu kundërvu shokut të vet që fajësonte ujin.

Ai çoi më tej arsyetimin e vet duke pohuar si një tjetër mundësi helmimi bukën. “Ku dihet se nga vjen mielli, se në ça magazinash ruhet dhe sesi bëhet? Asnjë s’e di. Edhe buka mund ta ketë”, vijoi. Bukën fajësoi edhe kryeinspektorja e Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor, Vjollca Braho. Braho ndodhej në Bulqizë në një mbledhje të strukturave shtetërore vendore e qendrore të kryesuar nga Prefekti i Qarkut të Dibrës, Nexhbedin Shehu.

Ajo foli për neglizhencë nga dega e Dibrës e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe u bëri thirrje që të ndërhyjnë urgjentisht me kontrolle dhe inspektime tek furrat e bukës dhe magazinat e ruajtjes së miellit për të analizuar cilësinë e tij.

Në dy lagjet kryesore të Bulqizës, atë të vjetër dhe në Bulqizën e Re na thonë se në total janë 5 furra buke. Në njërën prej tyre ndaluam dhe pyetëm. “Ça mielli?! Ça buke?! Ne përdorim miellin që përdor e gjithë Shqipëria për bukën. E kemi të magazinuar në kushtet e përcaktuara. Nëse do t’i helmonte buka ime, pse të helmuarit janë vetëm në Bulqizën e Vjetër? Pse nuk ka të helmuar në Bulqizën e Re, unë shes bukë edhe andej?!”, na pronarja e furrës, që thotë se quhet Dila.

Kreu i ujësjellësit të Bulqizës, në mbledhjen e mbajtur me prefektin deklaroi se nga ana e ujësjellësit nuk është identifikuar asnjë ndërhyrje në rrjet dhe se sa i takon klorifikimit, ai është kryer sipas normave dhe grafikut të hartuar paraprakisht që ruhet nga Bashkia.

Drejtori i Ujësjellësit të Bulqizës, Nebi Muça në mbledhjen e organizuar nga Prefekti i Qarkut të Dibrës

Në vetvete, mbledhja me Prefektin u “lidhi gjuhën” e zyrtarëve për të sqaruar më tej situatën dhe në ato pak fjalë që thanë ata u treguan të kujdesshëm, ku më shumë se hollësi për të kuptuar se çfarë po helmon bulqizakët, u vërejt loja e ping-pongut institucional se kush e ka përgjegjësinë.

Përgjegjësja e Sektorit të Koordinimit dhe Monitorimit të Inspektimit pranë Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor, Areti Beruka fajësoi Bashkinë e Bulqizës, që sipas saj kishte dështuar në përcjelljen e informacionit të strukturat e tjera shtetërore. Bashkia u fajësua edhe nga përfaqësues të tjerë të inspektoriateve dhe strukturave të pushtetit qendror, ndërsa vetë përfaqësuesit e kësaj të fundit u mbrojtën duke deklaruar se deri më tani nuk është përcaktuar ende se çfarë helmoi qytetarët, por se “rrjeti i ujësjellësit në shumë degëzime të tij ishte i amortizuar”.

Pedonalja e Bulqizes

Në gjithë qytetin ka një atmosferë droje e mosbesimi ndaj të huajve sa herë që pyeten apo diskutohet për kromin. Kromin e fajësojnë për helmimin, por kromin e bekojnë edhe për bukën që u jep në tryezë çdo ditë. “Pa minierën ne jemi të vdekur këtu! S’ka Bulqizë pa minierë”, na thotë një 40-vjeçar.

Ai rrëfen se vetë ka punuar disa kohë në galeritë. “Ishte punë e rëndë. S’e përballoja dot pasi kam patur shqetësime shëndetësore. Gruaja punon atje. Jo në galeri brenda, por tek seleksionimi. Është tek ajo kompanie private. Paguhet mirë! Jemi të kënaqur. Kam edhe njërez të tjerë në familje dhe fis që bëjnë të njëjtën punë”, vijon ai.

“Rroga nuk tregohet”, refuzon të na thotë se sa paguhet bashkëshortja, e po ashtu edhe të na thotë emrin, e as nuk pranon fotografi. “Mos më ngatërro kot! Kaq mund të them”, e mbyll ai fjalën e vet duke u larguar me shpejtësi.

Si 40-vjeçari në fjalë janë pjesa më e madhe e Bulqizës, që tregon simbiozën e ndërlikuar mes kromit dhe qytetit. Pa kromin, gjasat janë që Bulqiza sot të mos ekzistonte dhe po ashtu as kromi pa Bulqizën nuk do të kishte parë sipërfaqen.

Ato që e përforcojnë më tej këtë simbiozë të vështirë janë afishimet në derën e Zyrës së Punës në qytet. Tre nga katër njoftimet për vende të reja pune në këtë zyrë lidheshin drejtpërdrejtë me krom-nxjerrjen, ndërsa vendi i katërt ofrohej nga kompania “Gjoka Construction”, që po ndërton “Rrugën e Arbrit”.

“Zyra e Punës në Bulqizë për vitin 2018 ka punësuar 335 veta në total në grupmoshat 20 deri në 40 vjeç. Në miniera janë 70 për qind e tyre, që i bie mbi 270 vetë. Bulqiza ka si specifikë të veçantë minierat, kështu që numri i subjekteve të regjistruara në total në raport me ata që punojnë në miniera është shumë i madh. 90 për qind e subjekteve punojnë në sektorin minerar dhe gjenerojnë vende pune në këtë proces, ndërsa pjesë tjetër, fasoneri Bulqiza nuk ka, hoteleri janë të pakta”, deklaron Asllan Doxha, drejtues i Zyrës së Punës në Bulqizë.

Kreu i Zyrës së Punës na konfirmon atë që vumë re tek njoftimet për vendet e reja të punës.

Kreu i Zyrës së Punës, Bulqizë, Asllan Doxha

Doxha sqaron se shifra e punësimit për 2018 janë vetëm për Zyrën e Punës, ndërkohë që ka punësime që janë realizuar jashtë kësaj zyre nga vetë kompanitë private që operojnë në industrinë e kromit. Kromi mbet jo vetëm mundësia kryesore për punësim, por edhe më e mira.

“Te kromi paguajnë 40 deri në 60 mijë lek në muaj. Kjo pagë nuk ofrohet në sektorët e tjerë”, thotë kreu i Zyrës së Punës.

Doxha thotë se janë hapur disa kurse kuzhine, apo kurse profesionale të tjera me objektiv tërheqjen e brezit të ri. Potenciali i Bulqizës për agroturizmin është i madh, por përgjigjet ndaj thirrjes së autoriteteve për të aplikuar dhe përfituar nga skemat lehtësuese fiskale në këtë sektor kanë qenë të pakta për shkak të mungesës së certifikatës së pronësisë.

Zerqani është fshati i vetëm i Bashkisë së Bulqizës përfshirë në listën e 100 fshatrave të përzgjedhur nga Qeveria për zhvillimin e agroturizmit. I vendosur disa kilometra në lindje të qytetit të Bulqizës, ai pak ndihmon në diversifikimin e punësimit në këtë qytet. Diversifikimi i punësimit dhe shkëputja nga varësia e kromit ishte një prej premtimeve kryesore të kryebashkiakut Melaim Damzi në fushatën elektorale të 2015.

Melaim Damzi

Sot, ai është në ditët e fundit të mandatit të tij të parë dhe nga verifikimi ynë në terren, premtimi për diversifikimin e punësimit nuk është mbajtur. Bulqiza vazhdon të jetë e varur thellësisht nga kromi dhe aktivitetet e tjera që hapin punë të reja janë të papërfillshme deri më tani.

Si përforcim se ç’vlerë ka kromi i Bulqizës, shërben edhe një detaj që hasëm në kthim në kamionët transportues të tij. Të gjithë ata, në kapakun e rimorkios e kanë të vulosur me një mekanizëm sigurie, (plumbçe) që sinjalizon në Portin e Durrësit nëse rimorkio është hapur rrugës apo jo.

Janë pikërisht këta kamionë që që mbajnë në këmbë këtë qytet, e po këta kamionë që e izolojnë edhe më fort, si faktori kryesor i shkatërrimit të rrugëve. Dy janë linjat që ndjekin ata. E para është përmes luginës së Lumit Mat, që i nxjerr në Rrugën e Kombit në Milot dhe e dyta nga Rrësheni sërish për në Rrugën e Kombit.

Kjo e dyta u përurua në vitin 2013 dhe në atë kohë përflitej se nuk do të shërbente vetëm për zonën e Urakës dhe fshatrat e Matit dhe Mirditës, por edhe për transportin e kamionëve. Pesha e kromit për këtë aks rezultoi më tepër nga sa mund të përballonte dhe sot ajo rrugë është krejtësisht e pakalueshme jo vetëm për mjetet e vogla, por edhe për vetë kamionët, që i janë rikthyer rrugës nga qyteti i Burrelit, gjithashtu në gjendje të rënduar nga rrëshqitjet e dheut.

“Dakord sot kamionët kalojnë nga këto dy rrugë, po ne nesër kur të përfundojë Rruga e Arbrit pyesim, a do të lejohen këto mjete që të kalojnë përmes saj, sepse nëse po rrezikojnë ta shkatërrojnë edhe atë”, thotë Asllan Doxha, duke shprehur jo vetëm shqetësimin e tij personal, por të një qyteti të tërë.

Që industria krom-nxjërrëse përfiton nga Bulqiza krahun e lirë të punës dihet, po Bulqiza vetë ç’përfiton? Pyetja e parë lidhet me taksat. Iu drejtuam godinës së Bashkisë së qytetit për një informacion të detajuar. Kërkuam të dinim se sa ishin të ardhurat që siguronte nga taksat e tarifat që kjo bashki mblidhte nga industria e kromit. Mes rrëmujës së krijuar për shkak se kjo godinë ishte në rikonstruksion na përcollën me përgjigjen se “shefi i taksave ishte në terren dhe për të patur një informacion duhej drejtuar një kërkesë zyrtare”.

Godina e Bashkisë së Bulqizës në rikonstruksion

Këmbëngulja për një shifër të përafërt na u refuzua dhe në fund ndoqëm këshillën që na dhanë. Dërguam kërkesën zyrtare për informacion dhe deri në momentin e shkrimit të këtij artikulli, përgjigja nuk mbërriti, por ne jemi ende në pritje të saj. Nuk është e sigurtë nëse përgjigja do të mbërrijë, por kromi, që ndër vite u ka marrë jetën dhjetra bulqizakëve ka qenë, është dhe do të mbetet edhe për shumë vite bekimi dhe mallkimi i Bulqizës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë