Treg

Hetim nga nëntoka e Bulqizës, minatorët akuzojnë Albchrome

Sabina Veizaj - Inspektoriati Shtetëror i Punës ka nisur hetimin administrativ për kompaninë Albhrome, pjesë e Balfin Group, për shkarkimin e disa punonjësve të vjetër të saj, themelues të Sindikatës së re Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës.

Historia nis në mesnëntor pasi, sipas disa prej punonjësve të minierës, “të lodhur nga rënia në vesh të shurdhër e ankesave të tyre ndaj kompanisë Albchrome tek Sindikata në fuqi me kryetar Luan Nika, vendosën të krijonin një sindikatë për të adresuar problematikat në lidhje me kompaninë punëdhënëse sepse po kuptonin që sindikata që duhet të jetë zëri i punëtorëve, po tregonte se ishte palë me kompaninë”.

Beqir Duriçi është 38 vjeç dhe për 13 vite e gjysmë ka punuar tek kjo kompani derisa u rreshtua ndër tre punonjësit e parë të shkarkuar nga puna menjëherë pasi gjykata nxorri vendimin e krijimit të Sindikatës së re.

Beqir Duriçi me një koleg në minierë

Duriçi ka tre fëmijë dhe ishte i vetmi që punonte në familje për një pagesë prej 45 mijë lekë në muaj, përfshirë në të edhe trajtimin ushqimor të minatorit.

Poziçioni i Duriçit ishte ekspert sinjalistike për transportin e brendshëm dhe punonte me tre turne.

“Prej nëntë vjetësh nuk kemi asnjë përmirësim në kushtet e punës. Kompania ka bërë investime, por jo për punëtorët. Kemi të njëjtën pagë që kur ka ardhur Albchrome, kemi shtim të normës, orare të zgjatura dhe të papaguara të punës, na tatohet edhe pagesa e trajtimit ushqimor pasi na i japin sëbashku me rrogën. Mbi të gjitha kemi vështirësi pune e çila nuk është marrë asnjëherë parasysh; thellësia nën tokë, lagështia dhe rreziku i jetës”, artikulon Duçi pakënaqësitë që i çuan atë dhe minatorët drejt vendimit për të krijuar sindikatën e re.

Ai tregon për Gazetën “Si” se menjëherë pas daljes së vendimit të gjykatës për krijimin e sindikatës së re, janë shkarkuar edhe dy kolegë të tij, njëri prej të çilëve ishte kryetari i sindikatës së sapo themeluar Elton Debreshi dhe anëtari tjetër i këshillit të sindikatës Behar Gjimi.

Behar Gjimi ka punuar në këtë minierë për 24 vite; si minator , brigadier e zjarmtar.
Kohët e fundit, shpjegon Gjimi, “për 7 muaj më kanë ndërruar gjashtë herë vendin e punës për arsye që të mos komunikonim me kolegët për pakënaqësitë”.

“Paga është shumë dobët dhe normat i bëjnë sipas qefit. Si shembull po marr nivelin e 17-të. Aty kur ishte distança për të transportuar vagonin 200 metra, ishte norma 5, tani që është distança 600 metra është bërë 6 vagona. Vagonat ne i shtyjmë me krahë dhe një vagon mban 2 ton krom. Marrim një vagon e dërgojmë tek fronti e mbushim me krom dhe e dërgojmë përsëri atje ku e morëm, pastaj e njëjta gjë derisa të bësh normën. Ka shumë padrejtësi.”- shprehet Gjimi për gazetën “Si” duke treguar se ditën e hënë janë thirrur nga drejtuesit e kompanisë 30 persona për t’iu bërë presion që të ulin kokën duke punuar pa bërë fjalë.

Shkarkimi i punonjësve në fundnëntor sipas Duriçit dhe Gjimit është argumentuar me mungesat e tyre në punë, teksa Gjimi tregon se i ka paraqitur raport mjekësor kompanisë, e cila nuk e ka pranuar. Por në të vërtetë, thotë ai, ishte hakmarrje ndaj protestës tonë një javore dhe krijimit të sindikatës së re.

https://www.facebook.com/102143044582976/videos/983281075362806/

“Ne punojmë me orar të zgjatur dhe askush nuk paguan për orët jashtë normës së përçaktuar me kontratë në bazë të kontratës, kurse llogarisin 2 minutat vonesë në ardhje”, shpjegon Duriçi. “Familjet tona e mbajnë televizorin tek kanalet që kanë vetëm lajme, mos mësojnë nga ççasti në ççast për vdekjen tonë. Tek ne tërmeti është në çdo dekondë, minutë, orë. Jeta jonë është e rrezikuar çdo çast dhe nuk është marrë parasysh asnjëherë”, thotë ai.

Personat e shkarkuar nuk e kanë firmosur shkarkimin, por e kanë paditur kompaninë në gjykatë.

Gazeta “Si” komunikoi në telefon me drejtorin e minierës Petrit Cara për të konfirmuar pretendimet e punëtorëve, por drejtori Cara u përgjigj se nuk dëshironte të shprehej duke na drejtuar tek zyra e shtypit. Edhe ajo nuk i dha përgjigje Gazetës “Si” për pyetjet e dërguara.

Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës bën me dije se u ka nisur një shkresë informuese të gjitha përfaqësive diplomatike në Shqipëri, por jo vetëm, për ndërhyrjen në aktivitetin sindikal nga kompania Albchrome.

Veprime këto të çilësuar prej saj si të kundërligjshme. Sindikata ka njoftuar përfaqësitë e huaja në Shqipëri dhe organizatat ndërkombëtare të punës se kompania ka shkarkuar nga puna 3 minatorë, pa të drejtë dhe ka kërçënuar shumë të tjerë për largim.

“Veprime të tilla bëhen në kundërshtim me ligjin. Konkretisht Neni 50 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë parashikon se: “Të punësuarit kanë të drejtë të bashkohen lirisht në organizata sindikale për mbrojtjen e interesave të tyre të punës”. Edhe Kodi i Punës mbron të drejtat sindikale. Neni 184 (2) parashikon se ndalohen veprimet e pronarit që pengojnë krijimin dhe funksionimin e sindikatave. Presion i qartë ndaj minatorëve të Bulqizës që të mos guxojnë të kërkojnë të drejtat e tyre”, citohet në njoftimin e sindikatës së re.

Të dhënat tregojnë se në Bulqizë e Martanesh nga 2014-2017 kanë gjetur vdekjen për arsye të punës në minierë 27 minatorë, vdekje që i janë faturuar gabimeve të minatorëve.
Zyra e Punës në Bulqizë raporton për vitin 2018 se ka punësuar 335 veta në total në grupmoshat 20 deri në 40 vjeç. Në miniera janë 70 për qind e tyre, ose mbi 270 vetë.

Bulqiza ka si specifikë të veçantë, minierat, kështu që numri i subjekteve të regjistruara në total në raport me ata që punojnë në miniera është shumë i madh. 90 për qind e subjekteve punojnë në sektorin minerar dhe gjenerojnë vende pune.

Shifra e punësimit për 2018 është vetëm për Zyrën e Punës, por ka punësime që janë realizuar jashtë zyrës nga vetë kompanitë private që operojnë në industrinë e kromit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë