Futboll

“Kroacia zemrën, Franca Kupën”

“Kroacia na mori zemrat, Franca kupën”. Ky ishte slogani me të cilin miliona tifozë iu drejtuan rrjeteve sociale si reagim i parë pas finales së Kupës së Botës. Ballkanasit e kishin fituar “trofeun” e tyre me mbërritjen në finale dhe me fërshëllimën fillestare presioni binte i gjithë mbi francezët.

Trajneri i “Gjelave” Didier Deschamps e dinte këtë, ndaj udhëzoi të tijtë të bëjnë kujdes në fushë. Kroatët dominuan të gjithë takimin, por golat, ata që kanë rëndësi dhe vendosin fituesin u shënuan nga francezët.

Rusia provoi që ishte një botëror i autogolave, plot 12 në total. Ishte Mandzukiç që devijoi me kokë një top në portën e tij duke vendosur rekordin negativ të të parit autogol në finale. 

Presidenti francez, Emmanuel Macron i gëzohet golit të parë të Francës

S’ka rëndësi se si shënohet, rëndësi ka që topi të shkojë në rrjetë, të paktën në futbollin modern taktika është mbi të gjitha. Didier Deschamps e dinte këtë. Në finale skuadra e tij mbërrinte me pesë gola të shënuar në total, nga të cilët 4 nga goditjet standarde dhe vetëm një me aksion.

Me goditje standarde mbërriti edhe goli i parë, e po ashtu i dyti për “Gjelat”, kur Griezman shndërroi në gol një penallti të dhënë nga gjyqtari argjentinas Pitana. Është një penallti për të cilën do të flitet gjatë, jo vetëm për kontestimin, por edhe si e para që jepet nga teknologjia VAR.

Perisiç preku me dorë një top të devijuar lehtë nga Matuidi me kokë brenda zonës. Distanca ishte e afërt dhe prekja aksidentale. Por, pavarësisht kësaj gjyqtari Pitana pasi pa dhe ripa disa herë në ekranin e vogël të VAR-it në fushë e dha 11-metërsh duke rikthyer francezët në avantazh pas barazimit të përkohshëm të Perisiç.

Pjesa e parë u mbyll 2-1. Nisur nga të gjitha takimet para finales, kur Kroacia kishte arritur që të barazonte dhe më pas të fitonte përmes 11-metërshave dhe kohës shtesë, pjesa e dytë nuk mund të parashikohej.

Vladimir Putin dhe Giani Infantino shfaqin trofeun para nisjes së takimit

Megjithatë, këtë herë nuk ishte përballë as Danimarka, as Rusia dhe as Anglia. Përballë ishte Franca e vendosur për të çuar për herë të dytë kupën e Botës në Paris. Francezët u mbyllën mirë në mbrojtje dhe ruajtën energjitë për të goditur me kundërsulm. Me anë të një të tilli Paul Pogba gjen golin e tretë dhe pak minuta më vonë Mbappe të katërtin. Gafa alla-Karius e portierit Lloris u jep kurajo kroatëve. Mandzukiçit i shpërblehet presioni ndaj portierit francez dhe devijon një top në rrjetë. Franca 4, Kroacia 2.

Minuta në vazhdim kroatët u përpoqën. Një gol i tretë i shpejtë rihapte takimin, por ai nuk erdhi edhe për meritë të francezëve. Minutat kalonin dhe sa më shumë shkohej drejt fundit, aq më shumë rrëzohej shpresa kroate për një mrekulli. Në fund mbërrin fërshëllima përfundimtare: Franca kurorëzohet kampione e botës për herë të dytë, 20 vite nga trofeu i parë.

Emmanuel Macron dhe Presidentja kroate, Kolinda Grabar-Kitaroviç gjatë ndarjes së medaljeve dhe dorëzimit të trofeut

Mes francezëve nisën lotët e gëzimit, lot hidhërimi në radhët e kroatëve, që u maskuan edhe falë shiut që nisi gjatë ceremonisë së dorëzimit të medaljeve.

Mësimi i madh i këtij botërori është se jo gjithmonë shpërblehet skuadra që luan më mirë në fushë, por gjithnjë e më shumë shpërblehen skuadrat pragmatike, cinike, ashtu si Franca e Deschamps.

Luka Modriç u shpall lojtari i turneut, ndërsa Kylian Mbappe lojtari i ri më i mirë i botërorit. Golashënuesi më i mirë mbeti Harry Kane, ndërsa Thibaut Courtois portieri më i mirë

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë