“Krocia do të hapë kufijtë!” Ka mjaftuar ky lajm i rremë nga mediat serbe dhe boshnjake që qindra emigrantë të mblidhen në kufijtë kroat, ndërkohë që numri i refugjatëve që zgjedhin shtegun ballkanik pritet të rritet dita-ditës.
“Ballkan Insight” raporton se rreth 400 emigrantë dhe refugjatë u mblodhën të martën në kufirin e Bosnje Herzegovinës me Kroacinë, ndërsa rreth 350 të tjerë u mblodhën nnë kufirin me Serbinë. Policia kroate njoftoi se disa media kishin përhapur dezinformata duke njoftuar se shteti i Bashkimit Europian do të hapte kufijtë. "Në Bosnjë dhe Serbi, po përhapet informacioni i rremë se Republika e Kroacisë do të lejojë hyrjen e refugjatëve në territorin e saj, si dhe kalimin e mëtejshëm në vendet e Europës Perëndimore", tha policia kroate në një deklaratë.
Policia lokale dhe pjesëtarët e forcave kufitare të Bosnjes u vendosën në pikën kufitare Maljevac, ku qindra emigrantë dhe refugjatë shpresojnë të kalojnë për në Kroaci. Një numër i madh refugjatësh u mblodhën gjithashtu në kalimin kufitar të Batrovcit midis Serbisë dhe Kroacisë, duke shpresuar gjithashtu se do të mund të hyjnë në vendin e BE.
Të hënën në mbrëmje, një grup prej rreth 100 emigrantësh dhe refugjatësh arritën në vendkalimin kufitar të Izacicit, në Bosnjë dhe kaluan gjithë natën në qiell të hapur. Ata vinin nga qendrat e emigrantëve në Bihac dhe Velika Kladusa. Disa shprehën zhgënjim që nuk u lejuan të vazhdonin udhëtimin e tyre në BE. "Ne jemi duke pritur dhe duke u lutur që kufiri të hapet. Nuk duam të kthehemi", tha njëri prej tyre, për BIRN.
Kroacia është kthyer në rrugëdaljen e vetme të refugjatëve pasi Hungaria mbylli kufirin me Serbinë. Si kundërpërgjgije, edhe shteti kroat mbylli shtatë nga tetë kufijtë me Serbinë duke forcuar ndjeshëm kontrollet kufitare. Por përpjekjet për të mbrojtur kufijtë janë përshkallëzuar shpesh herë në dhunë dhe përleshje mes rojeve kufitare dhe emigrantëve. Madje organizatat ndërkombëtare kanë raportuar se policia kroate po përdor dhunën për t’i kthyer refugjatët në Bosnje-Hercegovinë fqinjë. Emigrantët që janë larguar nga Kroacia kanë raportuar se policia kroate i ka trajtuar në mënyrë brutale. OJQ-të në rajon kanë paralajmëruar se dy javët e fundit, 17 femra u kthyen me forcë në Bosnje nga Sllovenia dhe Kroacia.
Vjeshta rrit fluksin e emigrantëve
Zyrtarët europianë kanë paralajmëruar prej kohësh se vjeshta do të sjellë një rritje të ndjeshme të fluksit të emigrantëve, pasi Ballkani duket se është kthyer në rrugën e vetme të refugjatëve, për të shkuar drejt Europës Perëndimore. Sipas vlerësimeve të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, UNHCR, numri i refugjatëve dhe emigrantëve të strehuar në Serbi këtë muaj ishte rreth 3,900. Shumica prej tyre u strehuan në qendra shtetërore. Por më shumë se 200 refugjatë janë strehuar në çadra në Principovë dhe Adashevci, ndërsa 500 të tjerë po qëndrojnë nëpër rrugët e Beogradit dhe zonat kufitare, pasi nuk duan të regjistrohen në asnjë prej qendrave të emigrantëve.
Por më e brishtë përballë fluksit të emigrantëve duket se është Bosnje Herzegovinë. Që nga fillimi i vitit deri më 17 tetor, mbi 18,000 emigrantë dhe refugjatë u kaluan nëpër rrugën e re ballkanike, e cila kalon nëpër Shqipëri, Mal të Zi, Bosnjë dhe në disa raste edhe në Serbi. “Më shumë se 6,400 emigrantë erdhën nga Pakistani, 2,944 nga Irani, 2,533 nga Siria , 2,962 nga Afganistani dhe 1,675 nga Iraku”, tha për BIRN Shërbimi Boshnjak i Punëve të Jashtme.
E gjendur në këtë situatë të vështirë, qeveria e Bosnjë Hercegovinës është detyruar të ngrejë një sërë kampesh te reja për të përballuar fluksin e refugjatëve. Shumica e tyre synojnë të kërkojnë azil brenda BE-së, por plani i Brukseli për të mbyllur kufijtë e kontinentit, mund të rezultonte fatal për Bosnjën, e cila do të shndërrohej në strehën kufitare të kontinentit. Pothuajse të gjitha vendet e rajonit kanë marrë masa për të ndaluar ose përballuar fluksin e emigrantëve, por deri më tani, qeveria shqiptare nuk ka bërë të ditur asnjë strategji zyrtare.
Sipas ekspertëve, rritja e numrit të refugjatëve që hyjnë në territorin shqiptar, përbën një kambanë alarmi, pasi vendi ynë nuk ka infrastrukturën e duhur për t’i akomoduar. Policia shqiptare bën me dije se të gjithë refugjatët e ndaluar së fundmi janë dorëzuar në qendrën e azilkërkuesve dhe strehimit të refugjatëve në Babrru por numri i lartë i të huajve që dërgohen aty çdo ditë duket se e ka vënë në vështirësi edhe këtë institucion. Kryetarja e zyrës së UNHCR-së në Tiranë e ka parashikuar këtë situatë alarmante rreth dy vite më parë, kur ngrinte alarmin se qeveria shqiptare nuk ka burimet e nevojshme për strehimin e refugjatëve.Duke u përgagtitur për valën e refugjatëve në vjeshtë, trupat malazeze kanë vendosur të zhvillojnë kontrolle të njëpasnjëshme në të gjithë zonat kufitare me Shqipërinë (në Muriqan dhe Hanin e Hotit).
Sa refugjatë kanë hyrë në Shqipëri?
Vendi ynë ndodhet përgjatë rrugës së emigracionit ballkanik dhe atij mesdhetar, ku arrijnë shumica e azilkërkuesve që shpërndahen drejt BE-dë. Duke qenë se në Shqipëri, individët nuk kanë të drejtën e azilit, disa emigrantë riatdhesohen, ndërsa një pjesë tjetër vazhdojnë rrugën për t’u shpërndarë në të gjithë BE-në. Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët raporton se gjatë 2018-ës në Shqipëri kanë hyrë 1,323 emigrantë.
Përveç kësaj, autoritetet shqiptare kanë raportuar se 682 emigrantë u arrestuan gjatë përpjekjes për të dalë nga vendi drejt Malit të Zi. Madje sipas kësaj statistike të dhënë nga vetë policia, çdo 24 orë në vendin tonë ndalohen mesatarisht 10 refugjatë të huaj.
Numri më i madh i personave të kapur brenda territorit shqiptar i përket shtetasve nga Siria, ndërsa janë regjistruar edhe raste të ndalimit të shtetasve nga Jemeni, Iraku, Algjeria, Libia dhe Pakistani. Pjesa më e madhe e këtyre refugjatëve të ndaluar janë kapur në zonën e Shkodrës teksa tentojnë të kalojnë kufirin drejt Malit të Zi me destinacion vendet e BE duke kaluar tranzit nga Shqipëria. Për shkak të numrit të madh të refugjatëve që po kalojnë tranzit nga Shqipëria drejt vendeve të BE, kreu i Frontex, Fabrice Leggeri tha se do të vendosen 45 oficerë europianë në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë. Sipas komunikatave të policisë së shtetit, në të gjitha rastet e konstatuara, refugjatët kanë hyrë në vendin tonë në rrugë ilegale nga kufiri i gjelbër pranë Kakavijës dhe më pas kanë tentuar të kalojnë tranzit.
Në një reportazh të realizuar kohët e fundit në rajon, gazetarët e “Rai 3” zbuluan se pjesa më e madhe e refugjatëve kalonin nga Janina, në Shqipëri, qëndronin disa ditë në Babrru për të pushuar dhe vazhdonin më pas në Mal të Zi, Bosnjë dhe hynin në Kroaci.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.