Ne rrjet

Kriza politike në Ballkan, BE: Ne nuk ndryshojmë qeveri

Bashkimi Europian është treguar i qartë në lidhje me zhvillimet e fundit politike në disa vende të Ballkanit Perëndimor, ku kanë kulmuar protesta të dhunshme, si në Shqipëri, Serbi apo Mal të Zi.

Nga Brukseli, Komisioneri për Zgjerimin, Johanes Hahn, thotë se BE nuk do të bëjë gjyqtarin dhe se nuk do të ndërhyjë asnjëherë për të zëvendësuar një qeveri me një tjetër.

Hahn tha se ai do të bënte gjithçka që të mbrojë lirinë e fjalës dhe të drejtën për protestë, por nuk do të tolerojë dhunën. “Dhuna nuk është ajo që duam të shohim”, - tha komisioneri, sipas asaj që raporton DW.

“Ndonjëherë kam përshtypjen, se ata që kërkojnë nga ne të mbrojmë sundimin e ligjit, kërkojnë nga ne që të shkojmë në një vend dhe të ndërrojmë qeverinë. Ne nuk e kuptojmë kështu sundimin e ligjit”, tha Hahn.

Ndërsa nga ana e saj, Federika Mogherini, Përfaqësuesja e BE-së për Politikën e Jashtme në BE, tha se Maqedonia e Veriut duhet të jetë burim i frymëzimit të të tjerëve.

Ajo shtoi se liderët e rajonit duhet të zgjedhin "nëse je udhëheqës në një vend të komplikuar, në një rajon të komplikuar mund të zgjedhësh që të kesh qëllime të larta dhe të zgjidhësh çështje për popullin tënd, për vendin tënd, apo mund të zgjedhësh që të navigosh në kohë të vështira duke pritur që vijnë kohët më të mira”.

Hahn dhe Mogherini, i bënë këto deklarata në prani të kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev, i cili ndodhet në Bruskel në kuadër të konsultimeve të rregullta për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA). "Maqedonia e Veriut, nga një vend i krizës është bërë pishtar i shpresës”, tha Komisioneri Hahn.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë