Treg

Kriza politike dobëson turizmin, 3,5 % më pak turistë në dy muajt e parë të vitit

Ndikimet e krizës politike shqiptare kanë dhënë efektet e para në turizëm.

Të dhënat e INSTAT për “Lëvizjet e shtetasve në Shqipëri” tregojnë se shtetasit që kanë hyrë në vend për turizëm kanë qenë 3,5 % më pak në dy muajt e parë të vitit krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në vendin tonë në dymujorin e parë 2019 është 411.117, duke u ulur me 2,8 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2018.

Në dymujorin e parë 2019, ndër vendet që kanë hyrjet më të mëdha të shtetasve në Shqipëri, Anglia ka patur rritjen më të madhe me 17,6 % ndërsa uljen më të madhe e kanë patur shtetasit nga Kosova me 16,0 %.

Kategoria që nuk është influencuar nga trazirat politike në vend është ajo e biznesit, personat që kanë udhëtuar drejt Shqipërisë për çështje profesionale dhe biznesi. Shtetasit e huaj që kanë programuar konferenca, takime, trajnime i kanë realizuar ato. Kjo kategori ka rezultuar me rritje 28,5%.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë