Treg

Kriza politike anulon 20 % të prenotimeve të shtetasve të huaj

Sabina Veizaj - Kriza politike dhe protestat janë një problematikë e shtuar në sektorin e turizmit shqiptar, i cili ende nuk është konkurrues as në rajon.

Zak Topuzi, kreu i Shoqatës së Hoteleri Turizmit thotë për Gazetën “Si” se në rastet precedente të krizave të ngjashme janë anulluar mbi 20 % të prenotimeve të shtetasve të huaj që do të vizitonin vendin.

“Ndikimi i krizës politike në fushën e turizmit është kryesisht për turizmin ditor, turizmin e fundjavave. Anulohen programet e trajnimeve, konferencat. Të huajt që kanë edhe fondet i shtyjnë për periudha të mëvonshme ose i anullojnë ardhjet në Shqipëri”, shpjegon Topuzi.

Edhe Kliton Gërxhani, kreu i ATOA-s (Shoqatës Shqiptare të Turoperatorëve dhe Agjencive Turistike) konfirmon për Gazetën “Si” se të huajt kanë nisur prej do kohësh të anullojnë prenotimet e bëra.

Për Gërxhanin, statistikat e muajit janar për lëvizjet e shtetasve në vend, janë indikacion që duhen lexuar sepse “shtetasit e huaj pa diskutim janë ndikuar nga kriza politike. Përderisa në janarin e një viti më parë kanë qenë më shumë shtetas të huaj , do të thotë që këtë vit kanë anulluar fluturimet për në Shqipëri. Këta njerëz janë nga rajoni, sepse ata vijnë këtë periudhë. Kur ata që janë vetë nga Ballkani, kanë frikë të vijnë në Shqipëri në këtë situatë, mendo për një përëndimor sa e rëndë mund të jetë.”

Sipas të dhënave të INSTAT, numri i personave që kanë hyrë në Shqipëri për janarin e këtij viti është reduktuar me 5.2 për qind.

Në janar 2019, hyrjet e shtetasve të huaj në vend janë 209.520. Krahasuar me janarin e 2018-ës, ky numër është ulur me 9,8 për qind. Në janar 2019, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Anglia ka patur rritjen më të madhe me 7,5 për qind dhe uljen më të madhe e kanë pasur shtetasit nga Maqedonia me 19,1 për qind.

Edhe revista financiare Global Finance, tregon se Shqipëria është vendi më i pasigurtë në të gjithë rajonin. Treguesit që ajo ka marrë në shqyrtim për raportin e saj kanë të bëjnë me sigurinë e përditshme, fatkeqësitë natyrore, trazirave, konflikteve apo luftërave. Nga 128 shtete që u morën në studim, Shqipëria doli në vendin e 69, me shkallët më të ulëta të treguesëve të sipërpërmendur, krahasuar me vendet fqinje.

Sinjalet janë dhënë prej kohësh, thotë Topuzi; “të huajt kanë nisur të anulojnë prenotimet ose t'i shtyjnë për një afat tjetër. Janar-shkurti nuk kanë qenë muaj të mirë për turizmin.”

Këto anullime Gërxhani i cilëson si të panatyrshme, krahasuar me anulimet që ndodhin për arsye të ndryshme në periudha të qeta shoqërore, gjë që sipas Gërxhanit është tregues si pasojë e situatës së trazirave që po ndodhin në vend.

“Ne kemi imazh shumë delikat dhe duhet shumë pak që ta theksojmë imazhin negativ të vendit ndaj ndërkomëbatrëve”, thotë ai.

Eva Rama nga agjencia Explorer Travel & Tours gjykon se në termat afatshkurtër, situata e nderë poltike mund të ndikojë kryesisht në planifikimin e pushimeve, ndërsa në terma afatgjatë tek iniciativat për investime në sektorin e turizmit dhe në të gjithë sekrtorët e ekonomisë.

“Vendet e rajonit ose ato përreth që planifikojnë pushime familjare verore mund të ndikohen nga situata dhe të zhvendosen në vendet fqinje. Po kështu, sipas disa konfirmimive kjo situatë ka ndikuar edhe te investitorët për disa projekte në këtë fushë, të cilët janë tërhequr. Ideja është se ne nuk kemi ndonjë krizë më të thellë se ç’mund të jetë shfaqur edhe në disa vende të BE-së, por kur vjen puna tek Shqipëria, situata është më e paragjykuara për vetë imazhin që kemi në arenën ndërkombëtare”, sqaron Eva Rama për Gazetën “Si”.

Përfaqësuesit e fushës e parashikojnë situatën si pesimiste në sektorin ku operojnë, por edhe për ekonominë në tërësi, veçanërisht nëse kriza thellohet e duke marrë parasysh njëkohësisht se jemi në prag fushate elektorale.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se në vitet elektorale turizmi ka rënë.

“Edhe në periudha të qeta ne e kemi imazhin të brishtë, për shkak të drogës, pastrimit të parave, statistikave të krimit. Shtoji trazirat dhe vitin elektoral. Në qendër të kryeqytetit ka trazira, gaz lotsjellës, zjarr. Nuk jam kundër protestave. Të pakënaqurit të ngrihen, por jam kundër dhunës dhe vandalizmave”- sqaron Gërxhani duke shtuar se “Turistët e plazhit edhe vjet kanë reaguar jo mirë edhe vitin e kaluar, por për shkak të standardit në krahasim me pritshmërinë e tyre. Ne e presim rënien e numrit të turistëve për sezonin që është në prag që prej sinjaleve të verës së kaluar, por shtoji kësaj dhe ndikimin politik. Situata do të ishte pesimiste për turizmin duke menduar anullimet e mundshme, sepse një charter që i drejtohet Shqipërisë për pushime verore ka 150 veta.”

Për të, nëqoftëse situata del jashtë kontrollit, turizmi dhe ekonomia në vetvete do të jetë në problem të madh.

Edhe Z. Topuzi e përshrkruan situatën e sektorit të turizmit si aspak pozitive. “Polakët kanë anulluar udhëtimet. Ata kanë qenë të pakënaqur nga standardet dhe kanë gjetur treg tjetër. Industria ka nisur të përgatitet për të rritur standardet për një treg turistësh të një kategorie më të lartë. Tregu i lindjes ka qenë me të ardhura jo të larta. Ka qenë një trend për tu testuar Shqipëria si pozicion në tregun rajonal, më shumë se sa një treg real. Tregu është vënë në vështirësi dhe po shikon opsione të tjera. Strukturat janë përgatitur për ndryshim të kategorisë së klientëve.”- sqaron Topuzi dhe shton se “larguan turistët kosovarë që ishin me kërkesa minimale, po kërkojnë ti rikthehen këtij tregu por me një nivel më të lartë. Gjithë rajoni flet për një turizëm 365 ditë, ne flasim vetëm për sezon. Turizmi është mënyrë jetese, nuk mund të presim më verën. Të vetmit qytete që kanë turizëm 365 ditë janë Tirana, Korça dhe Pogradeci. Por pa standarde dhe me trazira nuk mund të shpresojmë një rritje të turizmit i cili aktualisht zë 8 % të PBB-së, 2% nën mesataren europiane”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë