Para

Kriza nga pandemia, bie vlera e tërhequr e overdrafteve dhe kredia konsumatore

Kriza e shkaktuar nga pandemia COVID-19, që detyroi vendet të bllokonin aktivitetet ekonomike dhe si pasojë humbën miliona vende pune në botë, në Shqipëri shkaktoi sipas të dhënave të INSTAT 40 mijë vende pune të humbura.

Mungesa e një llogarierrjedhëse, ka ndikuar që këtë periudhë të ulet kërkesa për overdrafte dhe kredi konsumatore.

Këtë e konfirmon edhe Banka e Shqipërisë, e cila raporton në të dhënat më të fundit të publikuara se se në fund të korrikut, vlera e paradhënieve bankare, në formë huaje të përdorura nga individët e punësuar me sigurime shoqërore ishte 7.32 miliardë lekë.

Vlera e kësaj forme financimi ka rënë me 6% krahasuar me vitin e kaluar dhe me 8.9% që nga fundi i muajit mars kur vendi hyri në karantinë.

Sipas të dhënave të BSH-së, rënia më e fortë e vlerës së overdrafteve të shfrytëzuara nga individët ka ndodhur në muajin prill, ku kriza ka nisur të reflektohet pas bllokimit.

Tendenca e kufizuar e tërheqjes së ovedrafteve është konfirmuar edhe në muajt në vazhdim ku nga muaji prill deri në korrik, vlera e përdorur e overdrafteve është rritur me vetëm 45 milionë lekë.

Overdrafti është një paradhënie e pagës, hua në masën e një ose dy pagave të të punësuarit në shtet a privat që e merr rrogën në bankë dhe është me sigurime shoqërore që shlyhet me këste sëbashku me interesin.

Një tendencë e ngjashme është vënë re edhe me kredinë konsumatore. Të dhënat e BSH-së, tregojnë për periudhën mars-korrik, portofoli i kredisë konsumatore ka rënë gjithashtu me rreth 600 milionë lekë. Kjo është një rënie e konsiderueshme, duke konsideruar shtyrjen e pagesës së kësteve, që e ka ngadalësuar ndjeshëm amortizimin natyral të portofolit duke vënë në vështirësi bizneset huadhënëse, bankat dhe institucionet financiare, pavarësisht se sistemi bankar sipas BSh-së është i mirëkapitalizuar dhe likuid.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë