Para

Kriza i ka detyruar shqiptarët të kursejnë. Rriten depozitimet por nga llogaritë rrjedhëse

Kriza e Covid-19 ka nxitur shqiptarët drejt kursimit duke shkaktuar rënien e konsumit. Banka e Shqipërisë raporton se kursimet e shqiptarëve në banka janë rritur me norma të larta gjatë gjysmës së parë të vitit 2020.

Kontribuesit më të mëdhenj në rritjen e depozitave kanë qenë individët që kanë kursyer në formën e llogarive rrjedhëse dhe të depozitave pa afat, të mbajtura kryesisht në monedhën vendase.

Raporti i Stabilitetit Financiar të Bankës së Shqipërisë tregon që në fund të muajit qershor niveli i depozitave ishte rreth 1,230 mld lekë, duke u rritur me 30 mld lekë gjatë gjashtëmujorit të parë dhe me 70 mld lekë në krahasim me një vit më parë.

Rreth gjysma e stokut të përgjithshëm të depozitave përbëhet nga depozitat me afat, të cilat, me përjashtim të disa luhatjeve të vogla, kanë ruajtur të njëjtin nivel që nga fundi i vitit 2018. Si rezultat, pesha e depozitave me afat ndaj stokut të përgjithshëm të depozitave ka vijuar të bjerë, ndërsa pesha e depozitave pa afat dhe e llogarive rrjedhëse është rritur.

Norma mesatare e rritjes vjetore të stokut të depozitave gjatë gjysmës së parë, ishte rreth 6% ndërkohë që për vitet 2018 dhe 2019 kjo normë nuk e ka kaluar vlerën +0.5%. Depozitat në monedhën vendase kanë ruajtur normat pozitive të rritjes vjetore të vërejtura që në muajt e parë të vitit 2019, dhe zgjerimi i tyre ka qenë veçanërisht i shpejtë gjatë tremujorit të dytë të vitit.

Në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit depozitat në valutë ishin në një nivel të krahasueshëm me atë të fundit të vitit të kaluar dhe kanë dhënë një kontribut modest në rritjen e depozitave gjatë periudhës.

Sipas BSH-së, rritja e depozitave ka qenë e lartë gjatë periudhës, e mbështetur kryesisht nga depozitat pa afat të individëve dhe në monedhën vendase. Pesha e depozitave pa afat dhe llogarive rrjedhëse vijon të zgjerohet përkundër rënies së peshës së depozitave me afat.

Efekti i kursit të këmbimit gjatë kësaj periudhe, thotë BSH,  ishte pozitiv dhe në vlera dukshëm më të larta në krahasim me dy gjashtëmujorët e mëparshëm. Rritja e llogarive rrjedhëse dhe e depozitave pa afat ka vijuar edhe gjatë gjysmës së parë të vitit 2020. Në krahasim me një vit më parë, gjatë kësaj periudhe llogaritë rrjedhëse dhe depozitat pa afat u zgjeruan me mesatarisht 11% dhe 21%, ndërsa në krahasim me fundin e vitit 2019, këto depozita ishin përkatësisht 7% dhe 5% më të larta.

Pas një periudhe disa vjeçare rënieje të vazhdueshme, depozitat me afat janë stabilizuar pranë nivelit 610-615 miliardë lekë, që ka mbetur pothuajse i pandryshuar që nga fundi i vitit 2018.

Normat e interesit për depozitat me afat në Lek dhe në valutë kanë mbetur në nivele të ulëta dhe niveli mesatar i tyre ka mbetur pothuajse i pandryshuar gjatë gjysmës së parë të vitit. Depozitat e individëve përbëjnë rreth 85% të totalit të depozitave dhe kanë vijuar të japin kontributin kryesor në rritjen e depozitave gjatë periudhës.

Depozitat në lek dhe ato në valutë kanë kontribuar në pothuajse të njëjtën masë në rritjen mesatare vjetore të depozitave gjatë gjysmës së parë të vitit. Gjatë 5 viteve të fundit, si depozitat në Lek, ashtu edhe ato në Euro që zënë mbi 90% të depozitave në valutë, kanë ruajtur prirje pozitive dhe të krahasueshme të rritjes, por rritja e depozitave në Lek ka qenë disi më e shpejtë gjatë 12 muajve të fundit. Rritja vjetore e depozitave në Euro ka qenë vazhdimisht pozitive, por norma e rritjes së depozitave në valutë është ndikuar negativisht nga ndryshime strukturore si edhe nga efekti statistikor i kursit të këmbimit. Ky i fundit, për shkak të mbiçmimit të fortë të monedhës vendase ndaj dy valutave kryesore ka bërë që stoku i depozitave në valutë i konvertuar në lekë të shënojë norma negative rritjeje gjatë pjesës më të madhe të viteve 2018-2019. Gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, dhe veçanërisht gjatë tremujorit të dytë, si pasojë e nënçmimit të përkohshëm të monedhës vendase, efekti statistikor i kursit mbi vlerën e raportuar të depozitave, ka qenë pozitiv.

Nga të dhënat e detajuara të depozitave të individëve sipas valutës dhe afatit është vërejtur  që depozitat me afat në lek kanë mbetur pothuajse të pandryshuara ndërsa ato me afat në valutë paraqesin një prirje të dallueshme në rënie. Për depozitat pa afat rritja më e fortë vijon të vërehet në pjesën në valutë të stokut të depozitave. Që nga fundi i vitit 2017, stoku i depozitave pa afat të individëve në valutë është zgjeruar me rreth 40%, ndërsa ai i depozitave në Lek me rreth 30%. Rënia në stokun e depozitave me afat, si për pjesën në Lek, ashtu edhe për atë në valutë nuk e kalon vlerën 10%.

Normat e interesit për depozitat me afat në Lek janë luhatur rreth nivelit 0.7% gjatë gjysmës së parë të vitit duke shënuar rënie të lehtë ndaj vlerës mesatare të vitit të kaluar. Për depozitat me afat në Euro, amplituda e normës mesatare të interesit të depozitave me afat ka qenë më e lartë në krahasim me periudhat e kaluara, por prirja për rënie e këtyre normave, duket se ka vijuar edhe gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë