Njerez

Kriza globale e ushqimit prek 150 milionë më shumë gra sesa burra dhe kjo do të përkeqësohet

Pas krizave të dyfishta të pandemisë Covid-19 dhe kolapsit ekonomik të Libanit, femrave atje u është dashur të dyfishojnë ngarkesën e punës, “duke punuar në fusha dhe në shtëpi”. Por ende, ato luftojnë për të fituar para të mjaftueshme për të ngrënë. Pushtimi rus i Ukrainës dhe ndikimi i tij në furnizimet me ushqime vetëm sa i ka përkeqësuar gjërat.

“Shpesh nuk kam para të mjaftueshme për të blerë ushqime për të gatuar, ndaj u jap fëmijëve bukë të spërkatur me trumzë. Ndonjëherë, gjithashtu, ne hamë vetëm dy herë në ditë. Kohët nuk kanë qenë kurrë kaq të këqija”, thotë Rouaya, një 33-vjecare nga Libani.

Rouaya nuk është vetëm. Ajo është një nga dhjetëra miliona gra në mbarë botën që e gjejnë veten duke ngrënë e fundit dhe duke ngrënë më pak, pasi një krizë ushqimore që përkeqësohet, përkeqëson problemet ekzistuese të pabarazisë gjinore.

Nga 828 milionë njerëz të vlerësuar globalisht që u prekën nga uria në vitin 2021, rreth tre në pesë (59%) ishin gra, sipas një raporti të publikuar në fillim të këtij muaji nga organizata humanitare Care.

Kjo është e barabartë me 150 milionë gra më shumë që përballen me pasiguri ushqimore sesa burra. Dhe hendeku po zgjerohet.

Që nga viti 2018, pabarazia midis sigurisë ushqimore të burrave dhe grave është rritur 8.4 herë, e përshpejtuar pjesërisht nga pandemia e koronavirusit. Tani, me fillimin e luftës së Rusisë në Ukrainë dhe mungesën e ushqimit, krahas faktorëve të tjerë si rritja e çmimeve, situata duket se do të përkeqësohet më tej.

"Jo vetëm që është një hendek i madh, por është një hendek në krahasim me vitin 2018 që po rritet me shpejtësi", thotë Emily Janoch, drejtoreshë e organizatës Care dhe një nga autoret e raportit.

Gjetjet, të cilat bazohen në të dhënat e Kombeve të Bashkuara dhe Bankës Botërore, raportojnë gjendjen deri në dhjetor 2021. Pasojat nga krizat e 2022 nuk do të dihen deri në vitin e ardhshëm, por parashikimi duket i zymtë.

Nga 828 milionë njerëz të vlerësuar globalisht që u prekën nga uria në vitin 2021, rreth tre në pesë (59%) ishin gra.

"Gjithçka që po shohim po na tregon se do të përkeqësohet", tha Janoch.

Pasiguria ushqimore rritet ndërsa barazia gjinore bie

Sipas raportit të OKB-së 2022 "Gjendja e sigurisë ushqimore dhe të ushqyerit në botë", gratë kanë siguri më të dobët ushqimore se burrat në çdo rajon të botës. Kjo pabarazi është veçanërisht e theksuar në vendet në zhvillim dhe veçanërisht në jugun global.

Raporti i Care zbuloi gjithashtu se ndërsa pabarazia gjinore u rrit në 109 vende, po ashtu u rrit edhe pasiguria ushqimore. Në Sudan, për shembull, pothuajse dy të tretat e grave (65%) raportuan se kishin pasiguri ushqimore kundrejt gati gjysma (49%) e burrave.

“Hendeku bëhet më i madh kur mendon se gratë e mbajnë gjithë barrën e pasigurisë ushqimore. Në studim u zbulua se kur burrat hanin pak në një vakt, gratë nuk hanin fare”, tha Janoch.

Burimi: CNBC. Përshtati: Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë