Para

Kriza energjitike në Europë thellon faturën në 500mld euro

Fatura për krizën energjetike të Europës është afër 500 miliardë euro pasi qeveritë po nxitojnë të zbusin goditjen e rritjes së çmimeve, sipas grupit të ekspertëve Bruegel(institut kërkimi për hulumtimin e politikave mbi çështjet ekonomike).

27 shtetet anëtare të Bashkimit Europian deri më tani kanë caktuar 314 miliardë euro për të zbutur ndikimin e krizës së energjisë tek konsumatorët dhe bizneset, ndërsa Britania e Madhe ka ndarë 178 miliardë euro, treguan vlerësimet e përditësuara të Bruegel.

Barra fiskale në rritje(shpenzimet e BE-së përbëjnë 1.7% të produktit të brendshëm bruto të bllokut) vjen ndërsa kombet europiane përballen me përshpejtimin e inflacionit dhe një perspektivë të zymtë ekonomike. 

Ministrat e BE po negociojnë një plan emergjence që do të transferojë fitimet e papritura të kompanive të energjisë tek familjet dhe firmat e cenueshme. Marrëveshja, që pritet të arrihet më 30 shtator, përfshin gjithashtu një kufi të çmimit të energjisë dhe një objektiv për të reduktuar kërkesën për energji elektrike ndërsa Moska “shtrydh” furnizimet e gazit në rajon.

"Fillimisht të dizajnuara si një përgjigje e përkohshme ndaj asaj që supozohej të ishte një problem i përkohshëm, këto masa janë rritur dhe janë bërë strukturore," tha Simone Tagliapietra, studiuese në Bruegel me qendër në Bruksel. “Ky numër pritet të rritet pasi çmimet e energjisë mbeten të larta. Kjo është e qartë se nuk është e qëndrueshme nga perspektiva e financave publike.”

Ndërsa vlerësimet e Bruegel përfshijnë masa të tilla si norma më të ulëta të taksës së vlerës së shtuar për energjinë elektrike, subvencione për ngrohje dhe masa për të mbajtur në këmbë disa kompani energjetike, ato nuk pasqyrojnë plotësisht shkallën e mbështetjes së likuiditetit në të gjithë Europën. 

Kostot në rritje të krizës energjetike kërcënojnë të thellojnë divergjencat ekonomike midis vendeve anëtare të BE-së.

"Ky nivel ndërhyrjeje përfshin gjithashtu një rrezik fragmentimi në të gjithë Europën: qeveritë me më shumë hapësirë ​​fiskale në mënyrë të pashmangshme do ta menaxhojnë më mirë krizën energjetike duke konkurruar fqinjët e tyre për burime të kufizuara energjetike gjatë muajve të dimrit.

Kështu është e rëndësishme të hartohen politika që mund të sigurojnë qëndrueshmëri fiskale dhe t'i koordinojnë ato - veçanërisht midis vendeve të BE-së", tha Tagliapietra.

Burimi: Bloomberg/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë