Qeveria gjermane ka rënë dakord që të shtetëzojë kompaninë më të madhe importuese të gazit në vend, Uniper.
Ky është zgjerim i ndërhyrjes së shtetit në industri për të parandaluar mungesën e energjisë, që po ndodh si pasojë e pushtimit rus të Ukrainës.
Marrëveshja me kompaninë Uniper bazohet në një paketë shpëtimi, për të cilën është arritur marrëveshje në korrik, me një rritje kapitali prej 8 miliardë eurosh që do të financohen nga qeveria.
Si pjesë e marrëveshjes, Qeveria gjermane do të marrë shumicën e aksioneve në Uniper, që deri më tani kontrollohej nga Fortum-i me bazë në Finlandë.
Qeveria finlandeze ka aksionet më të mëdha në Fortum.
Humbjet e Uniperit janë rritur pasi Rusia ka shkurtuar furnizimet me gaz natyror për vendet evropiane që mbështesin Ukrainën. Çmimet janë rritur për karburantin e nevojshëm për ngrohjen e shtëpive, prodhimin e energjisë elektrike dhe fabrikat e energjisë, duke rritur kështu frikën e mbylljes së bizneseve, derisa moti po ftohet.
Javën e kaluar Gjermania, gjithashtu, mori kontrollin e tri rafinerive të naftës në pronësi ruse, para se embargoja ndaj naftës ruse të hyjë në fuqi vitin e ardhshëm.Shtetëzimi i Uniper-it është hapi më i madh i Gjermanisë deri më tani për të mbrojtur vendin nga ndërprerjet e energjisë elektrike dhe racionimi këtë dimër dhe më tej.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.