Futboll

Kriza e Tiranës, Ze Maria në “fije të perit”

Nga Fatjon Rupi – Tirana e dy javëve të para të kampionatit duket se është po ajo e sezoneve të fundit, pa ndryshimin rrënjësor që të gjithë prisnin me rikthimin e saj në elitën e futbollit shqiptar. Skuadra më e titulluar në vend (24 tituj) nuk ka shfaqur për asnjë moment personalitetin u duhur dhe peshën e fanellës që ka ralisht. Rënia në Katregorinë e Parë, me sa është parë, duket se nuk i ka mbyllur plotësisht “plagët” e bardhebluve. Dy ndeshje nuk mjaftojnë për të nxjerrë konkluzione 100% të sakta, por japin indikacionet e asaj çfarë tifozët bardheblu mund të presin. Ata e kanë kuptuar fare mirë se Tirana që trumpetojnë drejtuesit nuk ka lidhje me Tiranën e fushës, që në dy ndeshje radhazi në fushën e saj mori minimumin, vetëm 1 pikë, madje edhe atë mund ta kishte humbur.

Në skuadrën kryeqytetase ka krizë, është e kuptueshme, edhe pse ajo nuk ka dalë ende plotësisht në sipërfaqe. Është një krizë, jo vetëm rezultati, por më së shumti në raportet mes drejtuesve dhe stafit teknik, si dhe të trajnerit brazilain Ze Maria me grupin e futbollistëve. Për krizën e parë mjafton të përmenden deklaratat e palëve, trajnerit Ze Maria dhe presidentit Refik Halili, që nuk janë në sinkron me njëri-tjetrin. Trajneri kërkon lojtarë me kualitet, specifikisht një sulmues kalibri, ndërsa presidenti i sugjeron të punojë për të bërë të tillë anglezin Majkëll Ngo, që vjen nga një dëmtim i gjatë dhe nuk mund të jetë kurrsesi zgjidhja e problemit në sulm. Kërkesat e brazilianit mund të jenë të drejta, ndërsa presidenti Halili i ka komentuar ato me diplomaci, i vetëdijshëm se nuk ia plotëson dot.

Trajneri Ze Maria dhe presidenti i Tiranës, Refik Halili

Kriza e dytë ndoshta është e vështirë të dallohet, por burime pranë Gazeta Si bëjnë me dije se situata në dhomat e zhveshjes së Tiranës nuk është aspak e mirë. Trajneri Ze Maria nuk ia ka arritur qëllimit ta mbajë grupin të bashkuar dhe me frymën e duhur të një skuadre. Ai nuk e ka situatën nën kontroll, ndërkohë që edhe zgjedhjet e tij para ndeshjeve të deritanishme apo edhe gjatë tyre, janë të diskutueshme. Ndoshta në këtë mes ndikon fakti që Ze Maria parapëlqen lojtarët e huaj, të cilët në fushë nuk është se kanë shkëlqyer. Jo për faj të tyre, ata mund të mos e kuptojnë se çfarë fanelle kanë veshur dhe kjo është një çështje më vete. Tirana zbret me 4 të huaj në fushë dhe nëse ata nuk janë aty ku duhet, ekuilibrat e skuadrës prishen.

Polemika me Albi Dokën që në ndeshjen e dytë të kampionatit është një tregues i qartë i situatës brenda kampit bardheblu. Mungesa e rezultateve e ka shtuar edhe më shumë presionin dhe në këto kushte braziliani e ka të vështirë ta menaxhojë situatën, pasi nuk e ka mbështetjen e gjithë grupit të futbollistëve. Pak a shumë, është një situatë e ngjashme me atë të Mourinjos te Mançester Junajtid, por ende nuk ka prekur kulmin e saj si tek anglezët.

Trajneri Ze Maria jep udhëzime gjatë ndeshjes

Edhe pse janë luajtur vetëm dy ndeshje, Ze Maria rrezikon shumë pozicionin e tij në stolin e e Tiranës, sepse rendimenti i deritanishëm i skuadrës lë për të dëshiruar dhe jo vetëm objektivi i titullit, por edhe ai i Kupave të Europës është në pikëpyetje të madhe, sepse për qëndrimin në Superiore duket se nuk do të jetë shumë e vështirë.

Tri ndeshjet e radhës janë përcaktuese për të ardhmen e trajnerit brazilian, ndërsa kjo e radhës me Kukësin në transfertë është kyçe dhe bardhebluve u duhet të shmangin me çdo kusht humbjen, për të larguar sadopak presionmin e madh që do të krijohej nga një rezultat negativ. Më pas Tirana pret Luftëtarin dhe shkon në fushën e Skënderbeut, ku i duhet të marrë të paktën 4 pikë në këto 180 minuta. Trajnerit Ze Maria i duhet të bëjë diçka për kthesën e Tiranës. Shumë specialistë e vlerësojnë për mënyrën si punon dhe mbështetjen që u jep të rinjve, por janë rezultatet ato që vendosin dhe për momentin braziliani është në “fije të perit”, apo me valixhe në duar, siç është vetë shprehja që perifrazon profesionin e trajnerit.

Tirana para ndeshjes me Teutën

Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë