Njerez

Kriza e inflacionit ka prekur dhe lypësit

Nga Gazeta 'Si' - Për lypësit e Tiranës zor se lypen fjalë, pasi gjithë çfarë kërkohet prej tyre këto kohë, janë më shumë para.

Me historitë e ngjashme që u bashkojnë fatet, ata i has gjithandej, tek rreken në kërkim të ushqimit, qindarkave e ndonjëherë dhe mospërbuzjes.

Kjo rutinë e zorshme tashmë duket se prej dy vitesh është shndërruar në sforco teksa në mënyrën e tyre të të parit të gjërave, e kuptojnë që qindarkat e fituara në fund të ditës, nuk ‘mjaftonin’ si dikur.

Pranë Tajvanit, aty ku ngahera ka fëmijë që lypin, afrohem pranë një vajze disa syresh. Mund të jenë diku 5-6 vjeç dhe ndërsa ndjekin këmba-këmbës njëri-tjetrin i thonë njëzëri : “Më fal pesëqind lekë o goca”.

Ata që dikur kërkonin njëqind lekë, tashmë kërkojnë pesëqind sepse e prekin nga afër rritjen e çmimeve që po ndihet në të gjithë produktet e konsumit.

Të njëjtën fjali përsërisnin edhe me kalimtarët e tjerë përgjatë atij perimetri rruge. Reagimi që merrnin në kthim rrallëherë ishte ai që prisnin.

“Nuk më dalin të miat”, përgjigjeshin të bezdisur qytetarët ose në rast të heshtjes,të paktën atë linin të kuptohej nga reagimi i fytyrës që ndonjëherë shprehte dhe trishtim.

Përgjatë Lanës, “panorama” me lypësit përsërit vetveten.

Një prej tyre, rreth të dyzetave, duke u artikuluar me vështirësi rrëfen për Gazetasi.al se rritja e ndjeshme e çmimeve po ua vështirëson mbijetesën. Quhet Arjan dhe nuk ka fëmijë. Ajo çfarë merr nga kalimtarët rrallë i mjafton për t’u ushqyer dy vakte në ditë.

“Dikur mblidhja 5 mijë lekë në ditë. Tani aq nuk mbledh në disa ditë bashkë”

“Nuk më japin më para si dikur sepse thonë që nuk kemi. Jo çdo ditë mund të blej gjëra për të ngrënë. Kalojnë dhe bëjnë sikur nuk më shohin”, vijon ai mandej për Gazetasi.al teksa tregon se ditët kur mbledh “2 mijë lekë” janë më të lumturat për të.

Nuk e ka konceptin e lekëve të rinj dhe të vjetër por e di që për të përballuar çmimet e larta të ushqimeve tani, i duhet më shumë fat.

Më parë me aq para mund të blinte disa byrekë dhe dhallë, tani përballon vetëm gjysmën.

Tregon që ka 10 vite që lyp ose mbase ca më shumë por dorëzimi ndaj rutinës “ia ka fshirë” peshën e atyre viteve sepse çdo ditë i rëndon më shumë.

“Atëherë ishte shumë e lehtë. Njerëzit më ndihmonin shumë dhe më blinin edhe vetë ushqime. Mund të mblidhja rreth 5 mijë lekë në ditë. Tani aq nuk i mbledh në disa ditë bashkë”, përfundon ai duke iu referuar viteve të para kur doli në rrugë.

Ndryshe nga të tjerë që nuk e thyejnë “kodin” e vendosur mes tyre, për të mos pranuar asgjë tjetër veç parave, Arjani pranon që t’i falin dhe ushqim sepse sipas tij, është e vetmja arsye që e mban ende gjallë.

Disa metra larg tij, prej një cope kartoni të dalë boje, lyp Samanta. Një 26 vjeçare e komunitetit rom. Ka tre fëmijë të vegjël që gjithashtu i ka nxjerrë për të lypur.

Inflacioni në sytë e saj është i dhimbshëm. Jeton në zonën e Bregut të Lumit sëbashku me bashkëshortin e sëmurë me dializë.

“Nuk dalin për asgjë paratë që mbledhim. I numërojmë në darkë por çfarë të blejmë me ato?”, pyet në mënyrë retorike ajo për Gazetasi.al, pak e revoltuar.

Shitësit e supermarketeve nuk e ndihmojnë më si më parë.

“Krizë, krizë dëgjoj kudo. Nuk të jep njëri sot. Ik puno më thonë po nuk kam ku të punoj. Fëmijët e mi mbledhin më shumë sepse janë më të vegjël dhe u ngjiten njerëzve dhe makinave nga mbrapa. Kur errësohet ikim në shtëpi, blejmë makarona dhe gatuajmë”, shton ajo për Gazetasi.al.

Lypësit kërkojnë më shumë qindarka për të përballuar blerjen e më shumë ushqimeve

Kohën kur ka nisur lypjen, rreth moshës 20 vjeçare ajo e mba mend si periudhë ku ushqimi në tavolinë ishte më i bollshëm.

“Na nxirrte mamaja për të lypur dhe blinim shumë gjëra. Situata ka ndryshuar më keq tani në fund. Që kur ra Covidi nuk blejmë më mish te kasapi, vetëm për festa.

As fruta nuk iu blej fëmijëve. Vetëm bukë dhe makarona hamë. Nga dy pako në ditë blej”, përfundon ajo.

Lufta në Ukrainë, shtuar mbi efektet e pandemisë e ka goditur më tej ekonominë.

Inflacioni i cili në të njëjtën periudhë të shkurtër ishte vetëm 2.5% për shtatorin arriti 8.1%, nivelin më të lartë të 20 viteve, udhëhequr nga ushqimet.

Por përtej shifrave zyrtare, inflacionin sot e gjen në rrugë, aty mes lypësish që lajmin për rritjen e çmimeve e marrin nga shitësit e vegjël dhe qytetarët që u përgjigjen më fjalën krizë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë