Ekonomi

Kriza e fasonit –A duhet ta shpëtojmë apo të na shpëtojë

Sabina Veizaj-Në fund të nëntorit , eksportet shqiptare ishin me rënie rreth 4 për qind, krahasuar më një vit më parë. Kjo situatë nuk ishte e rastësishme. Prej kohësh kurba e të dhënave tregon rënie. Barrën më të madhe  e shkaktoi industria fason me 5.1 për qind rënie. Edhe ky rezultat nuk ishte kaq rastësor. Kriza e tregjeve evropiane  ka diktuar rezultatet e kësaj kohe.

Fasoni sot  me 500 ndërmarrje  siguron të ardhura për rreth 100 mijë shqiptarë. Rënia e këtij biznesi që xhiron në vit rreth 700 milion euro  ose rreth 1/12 e PPBB-së  paralajmëron re të zeza për të gjithë ekonominë. Bizneset e kësaj industrie dhe ekspertët  thonë se kjo gjë duhej të pritej. Industria shqiptare e fasonit është ciklike, pak e modernizuar dhe krijon pak vlerë të shtuar.

Florian Zekja nga Unioni i Fasonëve  e sheh të errët perspektivën e sektorit ku bën pjesë.

Ai  thotë se zhvlerësimi i euros, ngadalësimi i ekonomisë europiane,  mos rimbursimi i TVSH-së në kohë reale dhe mungesa e politikave të subvencionit për makineritë të industrisë nga ana e qeverisë, do ta zhysë në errësirë të plotë këtë degë të ekonomisë që ka një peshë të konsiderueshme në zërin e eksporteve.

“Ne kemi vështirësi për të rinovuar teknologjinë. Kemi 15% humbje në këto tre vite nga euro. Nuk mund të investojmë”- shprehet ai.

Në të njëjtën linjë logjike është edhe eksperti Zef Preçi i cili parashikon një kolaps të sektorit nëse nuk do të vihet dorë.

“Kjo gjendje ka ardhur si pasojë se sektori ndjehet i dekurajuar nga mbështetja qeveritare. Prania e fasonëve ka shërbyer për ta shpënë Shqipërinë në Europë përmes eksporteve. Por tanimë ka ardhur momenti që të kemi në tregun e brendshëm made in Albania. Por tregu rregullohet duke bashkëvepruar të gjithë aktorët në treg; punëdhënësi, punëmarrësi. Duhet ekuilibruar kërkesa me ofertën dhe duhet punuar për një treg cilësor. Qeveria në buxhetin 2020 nuk ka asnjë plan për rritje pagash.”- thotë eksperti Preçi.

Por Zekja nga industria fason shpjegon se Made in Albania nuk mund të prodhohet vetëm për tregun vendas sepse është i limituar.

“Ne kemi kapacitet për të prodhuar 40 mln këpucë, por jemi vetëm 2,5 mln shqiptarë. Ne kemi fuqi të prodhojmë, por kemi nevojë për lehtësi , ndryshe nuk ia dalim dot”- thotë ai.

Por përveçse  faktorë të përhershëm industria e fasonit tani po kërcënohet nga një rrezik  i ri megjithëse është i përkohshëm. Ky biznes është i përqendruar kryesisht në zonat e prekura nga tërmeti; Durrës, Kavajë, Tiranë dhe ka pasur dëmtime.

“Teksa moda po përgatitet për koleksionin e verës, ne ndërpremë punën mbi tre javë për shkak të tërmetit sepse patëm dëme të konsiderueshme. U detyruam të zhvendoseshim”- shprehet Zekja për gazetën “Si”.

Për ekspertin Zef Preçi, qeveria duhet të kishte bërë vlerësimin në mënyrë emergjente të bizneseve, përfshirë ata fason, ashtu siç bëri me shkollat. Preçi argumenton se përkeqësimi i sektorit fason duke i bashkëngjitur edhe faktorë të tjerë do të ndikojë negativisht në ekonominë e vendit dhe jo vetëm gjatë vitit që po troket.

Megjithatë për ekspertët problemi për ekonominë qëndron përtej fasonit, që padyshim ka kontributin e tij negativ në këtë moment krize. Faji është tek modeli, që ekonomia kombëtare i ka mbështetur shpresat tek sektorë që  po ezaurohen.

Për ekspertin Elvin Meka ekonomia shqiptare  nuk duhet të ngrejë dhe ndërtojë shpresa e strategji mbi faktorë të tillë si fasonët dhe call-centerat, që bazohen në avantazhe konkurruese dhe koniuktura të përkohshme dhe jo të qëndrueshme.

“Sigurisht që vjen dita që avantazhe të tilla mund të relativizohen, ose te humbasin peshën dhe ndikimin e tyre. Sot ka një fushe të re fasoni, industria e pjesëve automotive, që është një lloj fasoni më cilësor ose me vlerë më të madhe të shtuar, që gjithsesi përbën një zhvillim pozitiv, por gjithsesi jo për të ndërtuar strategji afatgjata eksporti dhe punësimi.”- shpjegon Meka për gazetën “Si”.

Për të, Shqipëria ka nevojë të diversifikojë ofertën e eksporteve të saj, duke ofruar produkte dhe shërbime me vlerë të shtuar më të madhe.

Çdo reformë duhet ndërtuar që të favorizojë prodhimin vendas, thotë Preçi duke analizuar se “ ne propagandojmë rritje të ekonomisë, por ç’pjesë e PBB-së është prodhimi? Me çfarë po e rrisim ekonominë? Me punëtorë të pakualifikuar dhe paga skllevërish?”-

Ai e parashikon situatën ekonomike në afatshkurtër dhe afatmesëm si një tablo të errët sepse sipas Preçit, kur nuk ka mbështetje qeveritare për sektorë prioritar, nuk ka investime, nuk vende të reja pune, nuk ka konsum sepse njerëzit po ikin..  nuk ka shpresë, besim dhe entuziazëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë