Eksportet shënojnë rënie edhe në nëntor krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, po ashtu edhe krahasuar me një muaj më parë. Grupi i produkteve që ka ndikuar më shumë në rënien e eksporteve janë "Tekstilet dhe Këpucët" me 5,1%.
INSTAT ka raportuar se në njëmbëdhjetëmujorin e vitit 2019 eksportet e mallrave arritën vlerën 277 mld lekë, duke u ulur me 4,1 %, krahasuar me një vit më parë.
Në nëntor 2019 eksportet e mallrave arritën vlerën 25 mld lekë, duke u ulur me 9,1 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 8,6 %, në krahasim me tetor 2019.
Deficiti tregtar arriti vlerën 317 mld lekë, duke u rritur me 8,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018.
Kontributi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të eksporteve: Rënia vjetore e eksporteve prej 9,1 %, këtë muaj është ndikuar nga grupet: “Tekstile dhe Këpucë”, “Materiale ndërtimi dhe metale”, “Prodhime druri dhe letre”.
Për Florian Zekjan nga Unioni i Fasonëve ky sektor i ekonomisë do të rrënohet më tej dhe do të vazhdojë të ndikojë tek eksportet.
Sipas tij kjo situatë vjenë sepse kontratat e lidhura 2-3 vite më parë janë drejt fundit dhe nuk po rinovohen për shkak të përkeqësimit të ekonomisë në Europë (Itali, Gjermani), për shkak të zhvlerësimit të euros prej dy vitesh, situatës politike të paqëndrueshme dhe krizës politike të tejzgjatur në Shqipëri.
“Për shembull, tenderi i uniformave të ushtrisë italiane do bëhej në tetor të këtij viti. Është shtyrë për në shtator të vitit të ardhshëm dhe kjo për ne është një kontratë e humbur. Por ne parashikojmë që situata do të degradojë më keq pas 15 janarit. Nuk po investojmë, nuk kemi mundësi. Situata e përgjithshme sa vjen e nxit emigracionin më shumë”, thotë Zekja për Gazetën “Si”.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se në muajin nëntor 2019, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me nëntor 2018 janë: Spanja (37,8 %), Gjermania (0,1 %), dhe Greqia (1,5 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia (-12,8 %), Kosova (-9,6 %) dhe Kina (-10,0 %).
Gjatë këtij njëmbëdhjetëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Kosova (10,6 %), Gjermania (5,2 %), dhe Kina (11,1 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (-3,6 %), Spanja (-9,2 %) dhe Greqia (-4,0 %).
Shkëmbimet tregtare me vendet e BE zënë 65,3 %, të gjithë tregtisë. Në nëntor 2019, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 78,3 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 59,3 % të importeve gjithsej.
Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (33,2 %), Turqia (8,2 %), Kina (7,2 %) dhe Gjermania (7,0 %).
Shkëmbimet tregtare, për njëmbëdhjetëmujorin e parë 2019, me vendet e BE zënë 64,3 % të gjithë tregtisë. Në periudhën janar – nëntor 2019, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 76,5 % të eksporteve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.