Lajme

Takimi me aleatët, Kryemadhi: Refuzojmë tryezën

Pas ftesës së kryeministrit Rama për dialog pa kushte për Reformën Zgjedhore, kryedemokrati Lulzim Basha mori menjëherë hapin e radhës duke mbledhur aleatët në selinë blu.
Takimi me aleatët e partisë së tij zgjati rreth një orë ku e pranishme ishte dhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi.
Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, në një prononcim të shkurtër pas takimit tha se “qëndrimet e opozitës janë ato që u bënë të ditura më herët nga Basha”.
Kryemadhi ndër të tjera tha se opozita e bashkuar ka gati platformën për zgjidhjen e krizës. Ajo shtoi se sot me Frontin Opozitar janë 85 për qind e shqiptarëve.
“Ajo çfarë zoti Basha deklaroi 3 orë më përpara është përsëritje e çdo gjëje pas një akordimi që kemi pasur nëpërmjet telefonatave me të gjithë bashkëkryetarët e Frontit Opozitar. Ne jo vetëm që nuk lëvizim asnjë presje nga qëndrimet tona, por do të vazhdojmë të ecim përpara me platformën që opozita ka gati për zgjidhjen e krizës. Mos harroni se Fronti Opozitar tashmë është 85 përqind e shqiptarëve”, tha Kryemadhi.
Takimi erdhi pas ftesës publike të kryeministrit Edi Rama për dialog. Në një letër publike, drejtuar krerëve të partive në opozitën joparlamentare, Rama kërkonte takim pa kushte për këtë reformë.
Ndërkohë, në një prononcim për mediat, Lulzim Basha tha se prioriteti absolut për Shqipërinë është t’i jepet fund krizës politike, duke shtuar se ftesa e Ramës është një hile e tij, për sa kohë që Damian Gjiknuri, i dosjes “184”, është kryetar i komisionit të Reformës Zgjedhore. Basha po ashtu theksoi se pret nga OSBE, që të flasë për shkeljet e ligjit që janë bërë në Shqipëri, por edhe për tre kryebashkiakët e PS-së, të cilët pretendohet se janë subjekt i dekriminalizimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë