Treg

Kriza bankare në SHBA mund të ndikojë vendimet e BQE-së mbi normat e interesit

Parashikimet e inflacionit për vitin 2023 pritet të ulen, por presionet e vazhdueshme të çmimeve vazhdojnë të testojnë përcaktuesit e normave.

Një krizë bankare në SHBA nuk ka gjasa të pengojë Bankën Qendrore Europiane (BQE), nga rritja e kostove të huamarrjes në Eurozonë këtë javë, por analistët presin që përcaktuesit e normave, të jenë më ngurrues për të vendosur për një rritje tjetër në maj.

Rënia e Bankës Silicon Valley, pas rritjes së mprehtë të normave të interesit në SHBA, ka shkaktuar valë tronditëse nëpër tregje. Kjo gjithashtu ka ngritur pyetje, nëse rreziqet e stabilitetit financiar do t’i ndalojnë bankat qendrore të rrisin më tej normat.

BQE ka thënë tashmë se synon të rrisë kostot e huamarrjes me gjysmë për qind, kur të mblidhet këshilli i saj drejtues në Frankfurt ditën e enjte. Shumica e ekonomistëve presin që ajo të vazhdojë me këtë lëvizje për të ngritur normën e saj standarde të depozitave në 3 për qind, pavarësisht rënies së mprehtë të stoqeve të bankave europiane të hënën(13 mars).

“Rënia e SVB-së mund të rezultojë të jetë një katalizator për një qasje më të kujdesshme nga bankat qendrore”, tha Frederik Ducrozet, një ekonomist në Pictet Wealth Management të Zvicrës, duke parashikuar se presidentja e BQE, Christine Lagarde “do të kishte një ton të ashpër, por jo të përkushtuar të enjten”.

“BQE nuk do të tërhiqet nga rritja e normës bazë prej 0.5%, që planifikon të bëjë këtë javë,” tha Holger Schmieding, kryeekonomist në bankën gjermane të investimeve Berenberg. “Ata ndoshta do të sugjerojnë, se do të ketë më shumë rritje të normave, pa thënë nëse do të jenë 0.25% ose 0.5% për t’i dhënë vetes kohë për të parë se si do të funksionojë kjo.”

Dështimi i SVB ka ringjallur frikën se rritja e mprehtë e kostove të huamarrjes, do të rrisë stresin në pjesë të industrisë financiare. Një buxhet i llogaritur keq i qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar vitin e kaluar, rriti yield-et e obligacioneve dhe detyroi Bankën e Anglisë të rifillonte blerjet e bonove.

Analistët mendojnë se problemet në sektorin bankar të SHBA-së, nuk ka gjasa të përsëriten në Europë. Por mbikëqyrësit e BQE-së, po kontrollonin të hënën ekspozimin e huadhënësve ndaj rrezikut të normës së interesit dhe Bundesbank mblodhi një ekipin për krizat, të krijuar pasi Lehman Brothers falimentoi në 2008.

Aksionet e bankave Europiane ranë të hënën, pasi investitorët shqetësoheshin se kriza mund të përhapet përtej SHBA-së. Disa huadhënës Europianë pësuan rënie dyshifrore të çmimit të aksioneve, përfshirë Banco Sabadell të Spanjës dhe Commerzbank të Gjermanisë, ndërsa indeksi bankar Stoxx ra 7 për qind.

Në të kundërt, tregjet e obligacioneve u rritën, duke dërguar kostot e huamarrjes ndjeshëm më të ulëta, ndërsa investitorët kërkuan sigurinë relative të borxhit të qeverisë, duke rivlerësuar se sa më tej bankat qendrore do të shtrëngojnë politikën monetare, tani që rreziqet për stabilitetin financiar janë zbuluar.

Erik Nielsen, këshilltari kryesor i ekonomisë në bankën italiane UniCredit, tha se kolapsi i SVB ishte “një shembull i përsosur i telasheve me politikat e para-shpalljes”, siç bëri BQE pas takimit të saj në fillim të shkurtit. Nuk kishte “asnjë arsye të qartë pse rrëmuja e SHBA-së duhet të përhapet në Europë”, tha ai, duke parashikuar se BQE-ja do të rriste normat me gjysmë pikë përqindjeje këtë javë, pasi çdo gjë më pak do të ngrejë shumë pikëpyetje.

Tensionet janë intensifikuar, midis përcaktuesve të normave të BQE-së, lidhur me faktin se sa më tej ajo duhet të rrisë normat. Guvernatori i bankës qendrore të Austrisë, Robert Holzmann, ka bërë thirrje për katër rritje të tjera të normës me 0.5%, por shefi i bankës qendrore italiane, Ignazio Visco e kritikoi këtë qasje, duke bërë thirrje për maturi.

Pasiguria në lidhje me politikën e BQE-së i jep rëndësi shtesë publikimit të parashikimeve të fundit tremujore, që do të publikohen të enjten(16 mars). Projeksionet, të cilat tregojnë se sa do të jetë rritja dhe inflacioni total këtë vit, vitin e ardhshëm dhe 2025, do të japin tregues jetik se sa shpejt mund të ndalojë rritja e normave.

Në dhjetor, banka qendrore tha se priste që inflacioni i Eurozonës të arrinte 6.3 për qind këtë vit, 3.4 për qind në 2024 dhe 2.3 për qind në 2025. Të tre parashikimet ishin mbi objektivin e saj prej 2 për qind – një tregues i qartë, që politikëbërësit besonin se nevojitej për të rritur më tej normat.

Që atëherë, çmimet e gazit me shumicë janë përgjysmuar në 49 € për megavat / orë, bazuar në kontratat e së ardhmes të Dutch TTF për muajin e ardhshëm.

Bankat Europiane tashmë kanë rritur normat e kreditimit dhe kanë shtrënguar ndjeshëm kushtet e huamarrjes, gjë që duhet të reduktojë fluksin e kredisë dhe të ulë kërkesën. Rënia e SVB mund t’i bëjë bankat edhe më konservatore, duke shtrydhur më tej kushtet e financimit dhe duke reduktuar nevojën që BQE-ja të rrisë normat.

Ekonomistët kanë ulur tashmë parashikimet e tyre të inflacionit, për pjesën tjetër të këtij viti dhe shumica mendojnë se banka qendrore – e cila në dhjetor vlerësoi se çmimet e gazit do të ishin mesatarisht 124 €/MWh këtë vit – do të ndjekë shembullin për herë të parë që nga dhjetori 2020.

Një ekonomi elastike, rritja e pagave, një nxitje e marzheve të fitimit të korporatave dhe shtyrja e goditjes energjetike të vitit të kaluar në sektorë të tjerë, mund të mbajnë presionet bazë të çmimeve të larta – duke ruajtur presionin mbi BQE, për të vazhduar rritjen e normave për të paktën disa muaj.

Katharine Neiss, një ekonomiste në kompaninë investuese PGIM Fixed Income, tha: “Pikëpamja jonë mbetet se inflacioni bazë do të vazhdojë të rritet deri në fund të pranverës, pasi rritjet e mëparshme të çmimeve të energjisë, i shtyjnë mallrat dhe shërbimet joenergjetike me vonesë.”

Lagarde tha kohët e fundit, se ndërsa inflacioni total do të bjerë me shpejtësi nga marsi, çmimet bazë do të “qëndronin më të larta në afatshkurtër”.

Burimi: Financial Times/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë