Mendim

Kritikat ndaj Bodes, Patozi: Të vrasin dhe pastaj të kërkojnë llogari!

Një nga themeluesit dhe ish-deputeti i Partisë Demokratike, Astrit Patozi, i ka dalë në mbrojtje mikut dhe ish-kolegut të tij Ridvan Bode për të kandiduar si anëtar në Këshillin Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë pas propozimit të kryeministrit Rama.

Patozi, një nga kritikët më të mëdhenj të Lulzim Bashës, shkruan në një postim në “Facebook” se vetëm në Shqipëri ndodh që pasi të vrasin me gjakftohtësi, ekzekutorët të kërkojnë llogari si ta organizosh funeralin. Patozi e shoqëron komentin e tij me një foto të Berishës me Bode,

“Në qoftë se vendimi i Ridvan Bodes për t'u larguar nga politika dhe për të parë hallet e veta paska një problem moral, unë nuk di se çfarë emri mund të gjendet për pazarin e pistë të Lulzim Bashës me Edi Ramën më 18 maj, - komenton Patozi. - Sepse për të gjitha mund të kërkohej një argument, por për marrjen prej tij të atyre drejtorive me lekë, të cilat nuk i lëshonte edhe pasi i humbi si derri zgjedhjet, nuk kam dëgjuar ende dikë që të ketë nxjerrë ndonjë justifikim. Mbase do të dalë nesër, ku i dihet… Vetëm në Shqipëri mund të ndodhë akoma që, edhe pasi të vrasin me gjakftohtësi, të të kërkojnë llogari se përse nuk u kërkon leje ekzekutorëve se si ta organizosh funeralin”, - shkruan ish-deputeti.

Gjatë një interviste për gazetarin Lutfi Dervishi në RTSH, ish-kryeministri Sali Berisha tha se Bode ka bërë zgjedhjen e tij. Bode ishte një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Berishës dhe ka drejtuar Financat e vendit për 8 vite.

Sa i përket kandidaturës së Florion Mimës po për këtë post nga ana e Parlamentit, gjithashtu një ish-zyrtar i lartë i PD-së, Berisha e cilësoi si mendje brilante.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë