Lajme

Krim në familje në Paskuqan, 34-vjeçari vret kunatën me dru në kokë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë rreth orës 23:40 në Paskuqan.

Eredet Çapoku ka goditur për vdekje me një mjet të fortë (shkop druri) kunatën e tij, Enkeleda Çapoku, 30 vjeç.

Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe ka shpallur në kërkim 34-vjeçarin, i cili pas ngjarjes është larguar nga banesa.

Ndërkohë mësohet se deri dy vite më parë viktima dhe autori i krimit jetonin në një shtëpi, por për shkak të konflikteve që kishin lindur, ata ishin ndarë dhe jetonin me qira, afër njëri-tjetrit.

Gruaja jetonte me vajzën e saj, ndërsa bashkëshorti i saj ndodhet në burg, i dënuar me 10 vite për drogë.

Kunati e përndiqte Enkeledën, prej kohësh duke e parë kur ajo shkonte në punë, pasi punonte në një fabrikë këpucësh bashkë me vajzën.

Për këtë arsye, gruaja e kishte denoncuar kunatin, duke marrë urdhër-mbrojtje në Komisariatin e Kamzës.

Kjo kishte shtuar edhe më shumë përplasjet, duke bërë që ai mbrëmë të futet në banesën e saj, duke shkelmuar derën, dhe duke vrarë Enkeledën në sy të vajzës dhe nënës së saj.

Grupi hetimor vijon punën për kapjen e 34-vjeçarit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë