Libra

‘Krenar, atje mësova të ëndërroj’… Ermal Meta çel aktivitetet shqiptare në Panairin e Librit në Torino

Nga Gazeta Si - Nga fëmijëria në Shqipëri deri te fitorja në vitin 2018 në Festivalin e Sanremos me këngën “Non mi avete fatto niente”, deri në debutimin e tij si shkrimtar me romanin “Nesër e përgjithmonë”.

Është artisti Ermal Meta që ka shënuar fillimin e 40 aktiviteteve letrare të Sallonit të Librit në Torino, ku Shqipëria është vend mysafir i edicionit të 35-të të këtij panairi.

“Është një ftesë që më bën krenar”, thotë artisti shqiptar, ei lindur në vitin 1981 në Fier, 80 kilometra në jugperëndim të Tiranës dhe mbërriti në Bari në vitin 1994.

“Jam shumë i lumtur që Salloni i Librit në Torino, zgjodhi që në këtë edicion t’i dedikojë këtë hapësirë të veçantë Shqipërisë, që për italianët duket ende një vend kaq i afërt, por edhe i largët. E gjitha kjo edhe për shkak të asaj që shkruhet në media. Shumë nga miqtë e mi e kanë vizituar dhe në kthim më kanë thënë: nuk mendonim se ishte kaq e bukur, e mendonim ndryshe! Përmes historive që do të rrëfehen në Panair këto ditë, publiku i Sallonit do të zbulojë se Shqipëria është një vend ku ushqehen shumë ëndrra”, është shprehur ai.

E vendosur në pavijonin 1, stenda zyrtare e vendit tonë prezantohet nw formën e një shkëmbi të hapur, frymëzuar nga qyteti i gurtë i Ismail Kadaresë, (“Kronikë në gur”) një nga gjigantët e letërsisë bashkëkohore europiane.

Stenda shqiptare

Takimi me Ermal Metën në Sallën e Artë ka të bëjë edhe me librin e tij që donte ta vendoste në vendin e origjinës.

“Aty linda, mësova të ec dhe të flas, ëndërrova për herë të parë”, kujton ai.

“Kur fillova të shkruaj, e ndjeva thirrjen e atdheut dhe nuk mund ta shpërfillja. Por nuk doja të tregoja Shqipërinë e sotme, por të djeshmen, edhe të përpiqesha të shpjegoja se si arritëm në atë imazh që shumë njerëz ende e lidhin me vendin tim sot: anija e mbushur plot me njerëz që mbërrin në Bari një mëngjes gushti 1991. Atë ditë që shqiptarët vendosën të ndezin dritën. Të gjithë shikonin detin, ndërsa për mua ishte shumë e rëndësishme të shikoja qiellin, që dukej plot dritë”, thotë më tej.

Artisti rrëfeu më tej se pasioni për shkrimin lindi në Itali.

“Por qysh në 13 vitet e para të jetës në Shqipëri kisha krijuar një vizion romantik për jetën dhe pyesja veten shpesh se çfarë do të bëhesha kur të rritesha. Nëse do ta takoja sot atë djalosh, do t’i thosha diçka fare të thjeshtë: vazhdo të besosh në atë që beson dhe të mos besosh në atë që nuk beson”, ka rrëfyer artisti.

Në këtë edicion të 35-të, panairi do të vijojë përgjatë 5 ditëve nga 18 deri më 22 maj me mbi 1400 ngjarje, takime, debate dhe këndvështrime të reja mbi botën.

Për 5 ditë radhazi në Italinë fqinje, Shqipëria si “vend mik” do të jetë mes 44 shtetesh e 200 profesionistëve të enteve botuese.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë