Para

Kreditë me probleme ranë në tetor edhe pse normat e interesit janë rritur

Kreditë me probleme vazhduan tendencën rënëse edhe në muajin tetor, duke zbritur në nivelin 5% nga 5.06% që ishte në fund të muajit shtator.

Rënia e raportit të këtyre kredive, sipas Bankës së Shqipërisë po ndikohet pozitivisht nga vijimësia e rritjes me ritme të mira e portofolit të kredisë, por edhe nga fakti që pasojat e inflacionit të lartë ende nuk janë përcjellë plotësisht në treguesit e prodhimit dhe të punësimit.

Sipas të dhënave të BSH, portofoli i kredisë për ekonominë po vazhdon të ruajë ritme dyshifrore të rritjes.

Në fund të muajit tetor, vlera totale e portofolit arriti në 722.3 miliardë lekë, duke u rritur me 11% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kredia e re këtë vit vazhdon të shfaqë nivelet më të larta në të paktën shtatë vitet e fundit, pavarësisht një tendence ngadalësuese pas muajit shtator.

Ekspertët e sektorit bankar presin që raporti i kredive me probleme të shënojë një rritje të lehtë gjatë vitit të ardhshëm dhe vrojtimet e fundit të aktivitetit kreditues tregojnë se ato po adoptojnë standarde më të shtrënguara të huadhënies.

Drejtori i departamentit të Politikave Monetare në Bankën e Shqipërisë, Erald Themeli tha para disa kohësh për Gazetasi.al se BSH ka zbatuar pjesën më të madhe të normalizimit të politikës monetare, referuar rritjes disa herë të normës bazë të interesit.

Themeli tha se është e paqartë deri në cilin nivel mund të shkojë rritja e normës, për shkak të paqartësive në treg, por ajo do të jetë pranë nivelit ekuilibër, sipas kohës.

Sipas përfaqësuesve të tjerë të këtij departamenti, rritje e normës së interesit prek në mënyrë direkte 75% të kredive, ndonëse asnjëra “nuk shpëton”. Kjo masë do të sjellë indeksim të këstit të shlyerjes së një kredie, sipas rritjes që bëhet nga BSH. Lidhur me të, paraqitet një tjetër risk, ai i zgjerimit të kredive të këqija.

Ndonëse nuk ka një përcaktim të llojit të kredimarrësve problematikë, më herët, Guvernatori i BSH, Gent Sejko, tha për Gazetasi.alse peshën më të madhe në kreditë e këqija e kanë kompanitë e mëdha, që rrisin masën e tyre ndaj totalit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë