Para

Kreditë e këqija vitin e shkuar ranë nën 5%, shifra më e ulët që prej 2008-ës

Kreditë e këqija e mbyllën vitin e shkuar me rënie duke zbritur për herë të parë poshtë nivelit të 5% që nga viti 2008.

Raporti i kredive me probleme u ul në nivelin 4.99%, nga 5.65% që kishte qenë në fund të vitit 2021. Rënia e tyre ka vijuar, pavarësisht niveleve më të larta të inflacionit në më shumë se 20 vjet dhe rritjes së normave të interesit në tregun e brendshëm financiar.

Ulja e raportit të kredive me probleme është ngadalësuar ndjeshëm krahasuar me një vit më parë. Nëse gjatë 2021-shit raporti i kredive me probleme ishte ulur me 2.46 pikë përqindje, për vitin 2022 rënia e raportit ishte vetëm 0.66 pikë përqindje.

Rënia e raportit të kredive të këqija nuk ishte shumë e madhe as në muajin dhjetor. Në krahasim me nëntorin, raporti i kredive me probleme u ul me vetëm 0.06 pikë përqindje.

Në skenarët bazë të parashikimit të bankave, një rritje e kredive me probleme është e pritshme gjatë vitit 2023. Pritet që ekonomia shqiptare të ngadalësojë ritmin e saj të rritjes gjatë këtij viti, duke reflektuar më shumë efektet negative të trashëguara nga zhvillimet e vitit 2022.

Më pak kredi nënkupton më pak mbështetje me financim për konsumin dhe investimet, çka do ta ndikojë gjithashtu negativisht rritjen ekonomike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë