Para

Kredia për banesa ka rritjen më të madhe të interesave

Nga Gazeta ‘SI’ - Në muajin dhjetor, ritmi rritës i kredisë ra me 3.4 pikë përqindje nga tremujori paraardhës, 14%, për shkak të kreditimit më të ulët të bizneseve dhe individëve, sipas raportit të Politikës Monetare të Bankës së Shqipërisë.

Ngadalësimi i kredisë për biznese në 8.5% ka ardhur nga ecuria e dobët e kredisë për likuiditete dhe të asaj për investime, të cilat u rritën përkatësisht me 11.2% dhe 6.5%, 4 pikë përqindje më pak se në tremujorin paraardhës. Kjo sepse janë shtrënguar kushtet e kredisë nga bankat tregtare në vend, por ka patur dhe përmirësime në likuiditetin e bizneseve

Ndërkohë, gjatë kësaj periudhe, kredia për individë është zgjeruar me 14.5%, rreth 1.3 pikë përqindje më ulët se rritja maksimale prej 15.8% që shënoi në muajt e verës. Ky ngadalësim është ndikuar nga frenimi i kredisë për blerje banese (norma vjetore e rritjes së të cilës mbetetet gjithsesi e lartë, në 16.4%) përkundrejt ritmeve të qëndrueshme të kredisë konsumatore  (9.3%). Bazuar në vrojtimin e aktivitetit  kreditues, vihet re se individët kanë reaguar ndaj shtrëngimit të ofertës për kredi, duke u treguar më të kujdesshëm në kërkesën për financim në bankë.

Sipas monedhave, ngadalësimi i kredisë ka ndikuar më shpejt në ngadalësimim e kredisë në valutë krahasuar me atë në lekë. Megjithatë, kreditimi në valutë ka pasur një ecuri më të mirë gjatë vitit 2022, ku norma vjetore e rritjes së tij shënoi vlerën 15.3%, ndërsa ajo e kredisë në lekë ishte 6.3%.

Kreditë hipotekore janë ato që vazhduan të përcjellin rritjen e normës së interesit edhe në fund të vitit 2022 duke kaluar 4%, por përsëri më poshtë se llojet e tjera të kredive (norma u rrit për herë të fundit në fillim nëntori).  Kështu tregon Banka e Shqipërisë në raportin e saj të sapopublikuar. Interesi i kredisë konsumatorë ka kaluar normën prej 8%. Norma mesatare e kredive për biznese, që BSH thotë se e ka reflektuar shumë vonë ndryshimin e politikës, rezulton 6-8% sipas vlerës së kredisë, nën 35 ose mbi 35 mln lekë.

Interesat e kredisë së re në euro kanë shfaqur një rritje më të ngadaltë dhe filluan të rriten prej muajit shtator deri në tremujorin e katërt. Interesi mesatar për kreditë për biznese rezultoi 5.4%. Interesat  janë rritur kryesisht tek kategoria e kredive mbi 250 mijë euro dhe me normë fillestare interesi të fiksuar deri një vit. Tek individët, interesi i kredisë në euro për blerje banese rezultoi 3.4%, duke mbetur pranë niveleve të ulëta të vërejtura gjatë këtij viti. Rritja më e shpejtë e normave të interesit të kredisë në lekë, krahasuar me rritjen e interesave për kreditë në euro, ka çuar në zgjerimin e diferencialit të interesit, diferencën midis normave vendase dhe të huaja. Në gjysmën e dytë të vitit 2022, ai qëndron mesatarisht në 2.7 pikë përqindje, përkundrejt mesatares prej 1.9 pikë përqindjeje të gjysmës së parë të tij dhe të vitit të mëparshëm.

Të njëjtën përgjigja ndaj rritje së normës kanë dhënë dhe interesat e depozitave, për ato në lekë arritën në 1.5% në dhjetor 2022, 0.9% që ishin në tremujorin e parë të vitit. Për depozitat në euro interesat kanë shkuar në 0.7% nga 0.2% që ishin për të njëjta periudha.

Gjithsesi, BSH pranon në raport se rrija e normave është ende në nivele stimuluese për kreditim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë