Para

Kredia me garanci sovrane u rrit me rreth 1 mld lekë në tremujorin e parë të 2021

Bizneset rritën përdorimin e skemës së dytë të garancisë sovrane të qeverisë shqiptare në tremujorin e parë të këtij viti.

Bazuar në të dhënat e Ministrisë së Financave, garancia e dhënë në favor të bizneseve u rrit me 21.8% ose rreth një miliardë lekë që nga fillimi i vitit duke arritur në vlerën e 5.58 miliardë lekëve në fund të marsit.

Kjo shumë ngelet larg shfrytëzimit të limitit të plotë prej 15 miliardë lekësh të akorduar nga qeveria shqiptare.

Sipas skemës, qeveria merr përsipër të garantojë 60% të kredisë, ndërsa pjesën tjetër të rrezikut duhet ta marrë përsipër vetë banka kredituese.

Përdorimi i këtij instrumenti ka qenë shumë i ndryshëm për banka të ndryshme, në varësi të rrezikut që secila prej tyre ka zgjedhur të marrë përsipër. Në muajin mars qeveria shqiptare vendosi një rishpërndarje të tij drejt atyre bankave që e kishin shfrytëzuar pjesën e vendosur vitin e kaluar.

Banka që mori pjesën më të madhe nga linja e garancisë u bë “Raiffeisen Bank”, me 3.9 miliardë lekë, e ndjekur nga “Banka OTP Albania” me 2.2 miliardë lekë, “Credins” me 1.5 miliardë lekë, “Tirana Bank” me 1.25 miliardë lekë dhe “Intesa Sanpaolo” me 1.2 miliardë lekë.

Kjo skemë fillimisht kishte afat fundin e vitit 2020, por në muajin janar qeveria shqiptare vendosi ta shtyjë deri në 30 qershor 2021. Shuma e përdorur nga skema e parë e garancisë është në rënie, sepse ishte konceptuar si një formë mbështetje afatshkurtër për të siguruar shyerjen e pagave të punonjësve dhe afati i aplikimit u mbyll në mesin e vitit të kaluar. 

Granacitë sovrane  përbëjnë rreth 69% të totalit të garancive të dhëna nga qeveria shqiptare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë