Para

Kredia e re për ndërtimin kap një rekord në fund të prillit

Kredia e re për sektorin e ndërtimit në katër muajt e parë të këtij viti ka arritur nivelin më të lartë në pesë vitet e fundit.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë kredia e re në sektorin e ndërtimit arriti vlerën e 8.2 miliardë lekëve  për katër muajt e parë të vitit, duke u rritur me 38% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërtimi zinte 20.7% të kredisë së re për ndërtimin, nga 13.1% për të njëjtën periudhë të vitit 2020. Edhe e shprehur si peshë specifike kredia e re për ndërtimin ka arritur nivelin më të lartë në pesë vjet.

Tashmë, kredia për ndërtimin po përjeton një fazë të re rritjeje  nxitur dhe nga zhvillimet në sektorin e pasurive të paluajtshme, sidomos në kryeqytet dhe bregdet. 

Ndërtimi ka qenë një nga sektorët kryesorë që mbështetën rritjen e kredisë por dhe një nga “përgjegjësit” kryesorë për rritjen e nivelit të kredive me problem të bankave, për shkak të shumë investimeve që rezultuan të gabuara.

Të dhënat e INSTAT për vitin 2020 tregojnë se vlera e lejeve për ndërtesa, përfshi rikonstruksione, ishte rreth 77 miliardë lekë, ndërsa një vit më parë kishte qenë pothuajse 81 miliardë lekë.

Sipas BSH  rritja mesatare vjetore e çmimeve të pasurive të paluajtshme për vitin 2020 ishte 11.3%.

Duket se edhe bankat tregtare po e shfrytëzojnë ecurinë e favorshme në tregun e pasurive të paluajtshme, për të zgjeruar biznesin si në financimin e këtyre investimeve, ashtu edhe në blerjen e tyre nga familjet shqiptare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë