Para

Kredia e pambrojtur në valutë tkurret me 6 mld lekë. Kriza i ka trembur bizneset e tregtisë

Kredia e pambrojtur për pasuri të paluajtshme, i vetmi zë i rritur në këtë portofol

Kredia e pambrojtur në valutë, që është kredia e marrë në një monedhë të ndryshme nga monedha që përfaqëson të ardhurat, ka vijuar rënien duke u tkurrur me 5% gjatë periudhës dhe rënia ka ardhur nga kredia e marrë nga bizneset për qëllime tregtie.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë që ndërkohë, kredimarrësit individë kanë zgjeruar stokun e kredisë së pambrojtur në valutë gjatë periudhës.

Si rezultat, pesha e kredisë së pambrojtur ndaj tepricës së përgjithshme të kredisë është tkurrur lehtë gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit (me 1.6 pikë përqindjeje) në 21%, ndërsa pesha e saj ndaj portofolit të kredisë në valutë ra në 41% nga 45% në dhjetor 2019.

Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit, kredia e pambrojtur në valutë ra me 6 miliardë lekë, në nivelin 125 miliardë lekë, kryesisht për shkak të tkurrjes së kredisë së pambrojtur në monedhën europiane (me 4.6%).

Kredia e pambrojtur në dollarë amerikan ka regjistruar gjithashtu rënie gjatë periudhës (me 6%), por për shkak të peshës së ulët në totalin e kredisë së pambrojtur, kontributi i saj është i vogël.

Kredia për bizneset përbën 66% të tepricës së kredisë në valutë të pambrojtur nga rreziku i kursit të këmbimit, ndërsa kredia për individët dhe ajo për qeverinë zënë përkatësisht 30% dhe 4%.

Tkurrja e tepricës së kredisë së pambrojtur lidhet kryesisht me rënien me 7% të kredisë së pambrojtur për bizneset. Kredia e pambrojtur për individët gjatë periudhës u rrit me rreth 3%, ndërsa ajo për qeverinë u tkurr me 23%. Në terma vjetorë, kredia e pambrojtur në valutë u tkurr me 8%, si pasojë e rënies në kredinë për bizneset dhe në kredinë në monedhën Euro.

Kredia e pambrojtur e dhënë për investime në pasuri të paluajtshme vijon të mbajë peshën kryesore (rreth 54%) të totalit të kredisë së pambrojtur në valutë, pasuar nga kredia për tregti (me 26%). Pjesa tjetër e kredisë së pambrojtur në valutë është dhënë për zhvillim biznesi, konsum dhe qëllime të tjera. Kontribut në ecurinë e tepricës së kredisë së pambrojtur nga rreziku i kursit të këmbimit gjatë periudhës dhanë: rënia e kredisë së pambrojtur për “tregti” dhe kredisë për “qeverinë”, përkatësisht me 16% dhe 23%.

Kredia e pambrojtur në valutë për “investime në pasuri të paluajtshme” ishte e vetmja kategori e kredisë së pambrojtur që shënoi rritje gjatë periudhës (+2%).

Kredia e pambrojtur për pasuri të paluajtshme është dhënë për blerje të pasurive të paluajtshme rezidenciale dhe komerciale dhe për blerje toke. Peshën kryesore të saj e zë kredia e pambrojtur për pasuri të paluajtshme rezidenciale dhënë individëve (47%), e cila u zgjerua me 4% gjatë periudhës dhe dha kontributin kryesor në ecurinë e kredisë së pambrojtur për pasuri të paluajtshme për periudhën. Ndërkohë, kredia për pasuri të paluajtshme komerciale (pesha e së cilës në totalin e kredisë së pambrojtur për pasuri të paluajtshme shënon 35%) ka rënë gjatë gjysmës së parë të vitit.

Banka argumenton se mbiçmimi i kursit të këmbimit të euros dhe dollarit amerikan ka dhënë një efekt pozitiv në vlerën e raportuar të kredisë së pambrojtur në valutë. Në mungesë të nënçmimit të kursit të këmbimit të monedhës vendase, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit, kredia e pambrojtur në valutë do të ishte tkurrur me 7% nga 4.6%.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë