Interviste

Krasniqi për “Teatrin” e SHISH: Përplasje e paprecedentë President-Kuvend

Bledar Hoti - Kthimi dy herë i ligjit për ndërtimin e Teatrit të ri në Parlament nga ana e Presidentit Ilir Meta ka shkaktuar një precedent sa i përket mënyrës së shprehjes së kreut të shtetit me anë të dekreteve. Analisti politik Afrim Krasniqi, ish-këshilltar i Presidentit Alfred Moisiu në vitin 2003, në intervistën e dhënë për Gazetën "Si" shprehet se një akti i tillë nuk ka ndodhur asnjëherë më parë, ku një kryetar shteti të kthejë dy herë të njëjtin ligj. Ai shkon edhe më tej, duke theksuar se dekreti i dytë i Metës për këtë ligj do të ketë pasoja në marrëdhëniet mes dy institucioneve në një kohë që Shqipëria është ende pa një Gjykatë Kushtetuese në funksion të plotë.

“Nëse do të kishim referime në dy ligje të ndryshme, me të njëjtin subjekt, pra nëse Parlamenti do të kishte riformatuar nga fillimi ligjin dhe të kishte miratuar një ligj të ri, Presidenti do të ishte 100% në të drejtën e tij kushtetuese. Në rastin konkret, është i njëjti ligj i dekretuar dy herë kthimi i tij në Parlament. Kjo është një praktikë tërësisht e re kushtetuese, një ushtrim i ri i funksioneve të Presidentit dhe një precedent që me siguri do të ketë pasoja në marrëdhëniet institucionale dhe kuadrin kushtetues në vend, sidomos në raportet kushtetuese midis Presidentit dhe Parlamentit”, shprehet Krasniqi.

Edhe mungesën e një dekreti për kreun e ri të SHISH, Krasniqi e sheh si pasojë e raporteve që kanë ndërmjet drejtuesve institucioneve të larta, duke ofruar për këtë çështje argumente që janë tipike ballkanike dhe që duhen kërkuar tek raportet personale të ushtruesve të funksionit të kryetarit të shtetit dhe të kryeministrit me pushtetin dhe ambicien e tyre.

Zoti Krasniqi, Presidenti Meta ktheu për herë të dytë ligjin për Teatrin, duke na dhuruar një përplasje të re sa i përket natyrës së shprehjes së dekreteve nga një kryetar shteti. Në dijeni tuaj, a ka pasur ndonjë rast kur Presidenti të jetë shprehur dy herë për të njëjtin ligj?

 Jo, nga miratimi i Kushtetutës 1998 nuk ka pasur rast tjetër kur Presidenti ka dekretuar kthimin dy herë të të njëjtit ligj. Çdo President ka ushtruar të drejtën e tij për kthimin një herë në Parlament të ligjeve të debatueshme, por pas vendimit në Parlament lidhur me dekretin, - pranimin, përmirësimin ose rrëzimin e tij, Presidentët ose kanë deklaruar dekretimin, ose kanë ushtruar të drejtën e heshtjes, duke sjellë hyrjen direkt të ligjit në fuqi.

Dekreti i Presidentit i datës 27 korrik dhe ai i datës 11 tetor 2018 i referohet të njëjtit ligj, konkretisht ligjit nr.37/2018 “ “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”.

Nëse do të kishim referime në dy ligje të ndryshme, me të njëjtin subjekt, pra nëse Parlamenti do të kishte riformatuar nga fillimi ligjin dhe të kishte miratuar një ligj të ri, Presidenti do të ishte 100% në të drejtën e tij kushtetuese. Në rastin konkret, është i njëjti ligj i dekretuar dy herë kthimi i tij në Parlament. Kjo është një praktikë tërësisht e re kushtetuese, një ushtrim i ri i funksioneve të Presidentit dhe një precedent që me siguri do të ketë pasoja në marrëdhëniet institucionale dhe kuadrin kushtetues në vend, sidomos në raportet kushtetuese midis Presidentit dhe Parlamentit.

Sipas jush a ka vepruar drejt Presidenti me kthimin e këtij ligji, pasi për të njëjtën çështje, ai është bazuar edhe mbi të njëjtat argumente me atë të dekretit të parë?

Kushtetuta e Shqipërisë, neni 85 përcakton qartë se Presidenti i Republikës ka të drejtë ta kthejë ligjin për rishqyrtim vetëm një herë. Pra Kushtetuta është specifike “vetëm një herë”. Më 27 korrik Presidenti e ushtroi këtë të drejtë Kushtetuese duke kthyer për ligjin nr. 37/2018 për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”. Arsyet e Presidentit ishin të njohura dhe vendimi i pritshëm. Kuvendi kishte ushtruar një të drejtë të tij në mënyrë të njëanshme dhe në kontradikta ligjore dhe kushtetuese. Protestat nga grupet e interesit dhe kundërshtitë me interes publik i dhanë mbështetje argumenteve të Presidentit. Pas kthimit nga Presidenti, mazhoranca pranoi disa argumente të Presidentit dhe sugjerimet e ardhura nga delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, duke bërë ndërhyrje të reja në ligj.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruci, Presidenti, Ilir Meta, Kryeministri, Edi Rama, pas homazheve tek monumenti "Nena Shqipëri" ne Varrezat e Dëshmorëve, me rastin e 73 vjetorit të çlirimit të Shqipërisë. Foto LSA

Në praktikën e mëparshme parlamentare ka ndodhur disa herë kur Parlamenti ka bërë ndryshime në ligj në elementë të cituar në dekretet e Presidentit dhe në elementë të rinj që janë evidentuar gjatë debatit publik ose me grupet e interesit. Ndaj ishte e pritshme që Parlamenti të ndërhynte, sidomos referuar dokumentit sugjerues nga Brukseli. Në fund të procesit Parlamenti e miratoi dekretin e Presidentit me ndryshimet e reja, por ligji në numrin dhe titullin e tij mbeti i paprekur. Pra në leximin ligjor dhe kushtetues nuk kemi të bëjmë me ligj të ri, por me ligj të korrektuar për shkak të dekretit të Presidentit. Ndaj rikthimi i tij në Kuvend krijon një precedent të ri, për shkak se Presidenti, siç duhet gjykon se nuk kemi të bëjmë me të njëjtin ligj, por me dy ligje të ndryshme, duke i dhënë të drejtë vetes të bëjë rivlerësimin kushtetues nga e para.

Si duhet të veprojë Parlamenti përballë kësaj situate të re që nuk ka pasur ndonjë precedent ndonjëherë?

Praktika kushtetuese dhe Rregullorja e Parlamentit është e qartë në raste të tilla. Kuvendi ka miratuar një ligj, Presidenti e ka kthyer për plotësime, Kuvendi ka miratuar dekretin e Presidentit dhe ka bërë ndryshime, - këtu merr fund përgjegjësia e Kuvendit. Kthimi i dytë nga Presidenti krijon një precedent kushtetues.

A mundet Presidenti të ktheje dy herë një ligj dhe nëse po, përse jo tre, katër, pesë herë? Sepse nëse devijimi nga parimi kushtetues vlen një herë, atëherë kjo shërben si normë edhe për 100 herë të tjera. Presidenti ka përdorur si argument interesin publik dhe ka të drejtë në arsyetim, por jo në teknikën kushtetuese. Imagjinoni sa ligje e vendime kalojnë në Parlament që kanë të bëjnë me interesin publik. Imagjinoni limitet e papërcaktuara që i lejojnë Presidentëve të gjykojnë se çfarë është interes publik dhe çfarë nuk është.

Shtetet serioze demokratike i kanë zgjidhur praktika të tilla përmes normave kushtetuese dhe parimeve të ndarjes dhe balancës së pushteteve. Në këtë rast praktika më normale do të ishte kalimi i çështjes në Gjykatën Kushtetuese për të vlerësuar nëse Presidenti ka tejkaluar kompetencën kushtetuese dhe refuzimi i parlamentit për të pranuar në axhendë një dekret të dytë kthimi të ligjit. Në Shqipëri nuk ka Gjykatë Kushtetuese dhe për pasojë, secili institucion tenton të krijojë norma të reja ekstra kushtetuese duke përfituar nga mungesa e saj. Për pasojë, zgjidhja do të jetë më shumë politike sesa institucionale. Mazhorancë në Parlament është e paqartë në qëndrimin e vet edhe për shkak të konfliktit të interesit që ka me ligjin në fjalë, por edhe  për shkak të përpjekjes së saj për të ruajtur ura bashkëpunimi me Presidentin në një fazë politike kur janë në debat emërimi i drejtorit të Shërbimit Sekret, zgjedhja e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe disa zyrtarëve të tjerë të lartë që kërkojnë bashkërendim midis Presidentit dhe mazhorancës në qeveri.

Zoti Krasniqi, me zgjedhjen e Ilir Metës si president, edhe pse me votat e maxhorancës së majtë, kemi vënë re jo pak përplasje sa i përket marrëdhënieve institucionale mes Presidencës, Kuvendit apo dhe me kryeministrin. Prej rreth një viti Shqipëria ka mbetur pa një kryetar të SHISH. Presidenti nuk po pranon të firmosë emrin e propozuar nga Rama. Si mund të zgjidhet një ngërç i tillë sipas jush?

Praktika të tilla kritike nuk janë produkt i mungesës së ligjit, por i kulturës së ligjit tek vetë krerët më të lartë të shtetit dhe të politikës. Asnjë vend serioz, sidomos një vend anëtar në NATO, nuk mund t’ia lejojë vetes të qëndrojë një vit pa kryetar të shërbimit sekret. Argumentet janë tipike ballkanike dhe duhen kërkuar tek raportet personale të ushtruesve të funksionit të kryetarit të shtetit dhe të kryeministrit me pushtetin dhe ambicien e tyre. Në hierarkinë e sotme shtetërore SHISH ka rol shumë më dytësor sesa një dekadë më parë, por gjithsesi është institucion jetësor për shtetin, për sigurinë kombëtare, për stabilitetin dhe për aleancat strategjike me partnerët ndërkombëtarë. Zgjidhja nuk është praktikë formale detyruese, por mbi të gjitha është çështje maturie dhe vullneti politik e institucional.

Tani do jemi në fazën kur do të ketë zgjedhje edhe për postin e kreut të KLSH. Prej vitit 1997 ka pasur një pakt politik për kalimin e drejtimit të KLSH tek një kandidat i ardhur nga opozitat politike. Ky pakt është respektuar formalisht duke zgjedhur individë kompromisi midis Presidentit të kohës dhe Parlamentit. Tani palët janë në testim nëse kjo praktikë do të ruhej, gjë që merr vlerë edhe për faktin se mazhoranca e sotme në qeveri është e para mazhorancë prej prillit 1991, që është 100% e një partie politike.

Siç duket poste të tilla të larta do të jenë çështje negocimi dhe në funksion të kësaj praktike më shumë ballkanike sesa evropianiste janë lënë në dispozicion edhe poste të tjera përfshirë edhe shefi i shërbimit sekret, disa ambasadorë, vendimmarrja e pritshme në KED, zgjedhjet e reja në Bankën e Shqipërisë, etj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë