Bota

Krahu i djathtë i Navalnit sulmohet me çekiç në Lituani, Volkov: Ne nuk do të dorëzohemi

Gazeta Si - Leonid Volkov, bashkëpunëtor i ngushtë politik dhe krahu i djathtë i disidentit rus Aleksei Navalni, i cili vdiq në burg, u sulmua me një çekiç jashtë shtëpisë së tij në Lituani.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësja e Navalnit, Kira Yarmysh. “Dikush ka thyer xhamin e makinës, i ka spërkatur lëng në sy dhe më pas ka filluar ta godasë me çekiç”, ka shkruar ajo.

Gjatë natës në Telegram ka mbërritur edhe komenti i parë i Volkovit: “Do të punojmë dhe nuk do të dorëzohemi”, ka shkruar ai, duke shtuar se sulmi, i cili i ka kushtuar një thyerje të krahut, ka qenë një “përshëndetje karakteristike banditësh” nga pasardhësit e Putinit.

Disa orë para se të sulmohej, Volkov i tha gazetës së pavarur ruse “Meduza” se ishte i shqetësuar për sigurinë e tij.

"Rreziku kryesor tani është se ne të gjithë do të vritemi. Është shumë e qartë pse", tha ai. Sulmi erdhi pothuajse një muaj pas vdekjes së Navalnit në burg për arsye ende të paqarta.

Volkov, më parë në krye të zyrave rajonale dhe fushatave zgjedhore të Navalnit (i cili kandidoi për kryetar bashkie të Moskës në vitin 2013 dhe u përpoq të sfidonte Putinin në zgjedhjet presidenciale të vitit 2018), u largua nga Rusia disa vite më parë nën presionin e autoriteteve.

Vitin e kaluar, Volkov dhe ekipi i tij nisën një projekt të quajtur "Makina e fushatës së Navalnit", me synimin për të folur me sa më shumë rusë, me telefon ose në internet dhe për t'i kthyer ata kundër Putinit përpara zgjedhjeve presidenciale në 15-17 mars.

Ndërkohë, lajmi për sulmin ndaj Volkovit është "tronditës", tha ministri i Jashtëm lituanez Gabrielius Landsbergis në “X”, duke shtuar se "autorët do të duhet të përgjigjen për krimin e tyre".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë