Politike

KQZ e refuzoi, Bindja Demokratike i drejtohet Kolegjit

Bindja Demokratike do t’i drejtohet Kolegjit Zgjedhor për ankimuar të gjitha vendimet refuzuese të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ka qenë pikërisht kreu i kësaj partie, Astrit Patozi që nëpërmjet një postimi në Facebook ka bërë publike nismën më të fundit, duke akuzuar socialistët për refuzimin e hapjeve të kutive.
“Ky vendim erdhi pasi ankimimet tona në Komisionin qëndror të Zgjedhjeve u rrëzuan arbitrarisht me forcën e kartonave të përfaqësuesve të Partisë Socialiste në këtë insistucion. Në të gjitha votimet e kërkesave ankimore të Bindjes Demokratike në KQZ rezultati ishte katër vota pro dhe një kundër. Vetëm kryetari Klement Zguri ishte dakord që të hapeshin kutitë e materialeve zgjedhore dhe ato të qendrave të votimit për listat e këshillave në ato zona zgjedhore ku Bindja Demokratike u lejua të konkurronte. Ankimimi i zgjedhjeve të 30 qershorit bazohej në të dhënat dhe informacionet e vëzhguesve të Bindjes në të gjithë territorin, të cilët konstatuan shkelje të rënda që kanë sjellë rritjen fiktive të pjesëmarrjes së votuesve dhe deformimin e vullnetit të zgjedhësve, sidomos në listat e këshilltarëve bashkiakë”, shprehet Patozi.
Sipas tij, ajo që Bindja kërkon është thjeshtë dhe vetëm që brenda kuadrit ligjor shqiptarëve t’u jepet mundësia që të shohin se çfarë ndodhi me votën e tyre rreth dy javë më parë.

https://www.facebook.com/Astrit.Patozi/photos/a.921919354534635/2467908063269082/?type=3&theater


“10 vjet më parë Edi Rama dhe Partia Socialiste u përfshinë në një betejë politikë me devizën “hap kutitë, ose largohu”, duke iu referuar zgjedhjeve politike të vitit 2009, në të cilat kishin humbur, por duke pasur komisionerë dhe numërues në çdo qendër votimi. Ndryshe nga atëherë, ne nuk patëm askund komisionerë dhe numërues, ndaj edhe kemi shumë herë më tepër të drejtë se Partia Socialiste në atë kohë. Ndryshe nga ata, ne nuk po i themi Edi Ramës që të hapë kutitë, ose të largohet. Por nëse ai do të urdhërojë edhe Kolegjin Zgjedhor që të votojë si KQZ-ja, i bie që duke mos hapur kutitë Edi Rama njëkohësisht ta pranojë se ai i ka vjedhur zgjedhjet e 30 qershorit”, thekson Patozi.
KQZ refuzoi të 26 ankimimet e paraqitura nga Bindja për kandidatët e saj në bashki, duke i cilësuar si të pambështetura dhe të paargumentuara në ligj dhe pa prova.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë