Arsim

Kostoja 6.8 mln lekë për Mjekësinë, Alimehmeti: Është e fryrë, bordi vendosi 2.3-3 mln lekë

Nga Gazeta ‘Si’-Universiteti i Mjekësisë ka depozituar pranë kuvendit një relacion në të cilën ka përllogaritur dhe koston e studimeve në degën e Mjekësisë së Përgjithshme. Zv/dekani i Mjekësisë doktor Ilir Alimehmeti thotë se paralelisht me këtë shkresë, disa ditë para nisjes së vitit të ri akademik, edhe bordi i senatit të Universitetit të Mjekësisë miratoi një draft propozim që më pas iu dërgua ministrisë së Arsimit mbi koston e studimeve në Mjekësi.

Por çfarë i diferencon këto dy shkresa?

Sipas zv/dekanit të fakultetit të Mjekësisë, Ilir Alimehmeti, në shkresën që Universiteti i Mjekësisë i ka dërguar kuvendit thuhet se kostoja e studimeve të Mjekësisë është 6.7 mln lekë të vjetra, ndërsa shkresa e miratuar në bord, sa gjysma e kësaj shume.

“Besoj se me zellin për të kënaqur kryeministrin, rektorati ka nxituar të ofrojë një propozim që është shumë më i madh sa realisht është kostoja e studimeve në fakultetin e Mjekësisë. Ajo që bie në sy është se grupi i punës që është ngritur nga Bordi i Senatit ka miratuar një kosto prej 2.3-3 mln lekë të vjetra dhe kjo kosto vjen pas një analize të ekspertëve tanë. Lind pyetja, pse është propozuar 6.7 mln lekë për degën e Mjekësisë”?, thotë Alimehmeti për Gazetasi.al.

Rektorati përgjigje studentëve: S’kemi ende një kosto zyrtare

Në një përgjigje drejtuar dy përfaqësuesve të studentëve të Mjekësisë, Dea Guri dhe Zino Veleshnja, rektori i Universitetit të Mjekësisë pranon se në vitin 2019, Universiteti i Mjekësisë ka kryer një përllogaritje të kostos e cila rezulton 236.468 lekë.

“Referuar formularëve të dërguar nga ministria e Arsimit në vitin 2023, kostoja e studimit për këtë program studimi ka rezultuar 678.994 lekë,

Vendimi i KM, nr.527, dt 7.09.2023 i cili ka përcaktuar metodologjinë e kostos së studimeve për programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e Përgjithshme”, në institucionet publike të arsimit të lartë, dhe çdo mbështetje tjetër për studentët e këtij programi, në pikën 6 të tij ka parashikuar se kostoja e përllogaritur dhe miratuar nga organet kolegjiale të IAL-së bëhet publike për studentët para fillimit të vitit të ri akademik.

Në zbatim të këtij vendimi, Universiteti i Mjekësisë Tiranë është duke punuar për përllogaritjen e kostos së studimit për studentët e programit “Mjekësi e Përgjithshme”, kosto e cila pasi të miratohet nga organet kolegjiale të Universitetit të Mjekësisë, do të bëhet publike”, thuhet në shkresën “Kthim përgjigje” të firmosur nga rektori Arben Gjata.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë