Arsim

Bojkotit të studentëve të mjekësisë i bashkohet edhe viti i parë. Të hënën bllokojnë Fakultetin

Nga Gazeta Si- Studentët e mjekësisë kanë vazhduar prej një jave me bojkot të mësimit duke kundërshtuar ligjin që i detyron të qëndrojnë në vend për të punuar 2-5 vite pas përfundimit të studimeve.

Ditën e sotme studentët mbajtën ditën e dytë të protestës që prej fillimit të vitit akademik duke njoftuar edhe përshkallëzim në rast se nuk ka një reagim nga Ministria e Arsimit apo dhe nga vetë Universiteti i Mjekësisë.

LEXO EDHE:
Studentët e mjekësisë bojkotojnë auditoret por viti i parë s'bashkohet: Kemi frikë

“Do vazhdojmë të qëndrojmë jashtë sallave të auditoreve deri në 1 përgjigje nga Ministritë apo nga Universiteti. Duam që të vijnë përfaqësues të Ministrisë së Arsimit apo dhe Rektori dhe të diskutojmë mbi problematikat e këtij Universiteti”, tha një nga studentët i cili shtoi se të gjithë kërkojnë që të pezullohet ligji derisa të ketë një vendim nga Gjykata Kushtetuese.

“Nuk do firmosim asnjë kontratë derisa të vendosë Gjykata Kushtetuese”.

Një tjetër student deklaroi se kanë vendosur që duke filluar nga e hëna, do të bllokojnë hyrjen e godinës së kuqe, pranë Universitetit të Mjekësisë dhe nuk do të lejojnë asnjë student të degëve të tjera (Farmaci, Shëndet Publik) që të zhvillojnë orët e leksioneve.

Gjithashtu, të hënën studentët do të marshojnë drejt Ministrisë së Arsimit për të vijuar me protestën përballë saj.

Ndërkohë protestat e studentëve do të jenë të përditshme dhe sipas tyre, kanë marrë dhe mbështetjen e pedagogëve.

“Pedagogët janë me ne. Pjesa më e madhe e tyre na kanë mbështetur dhe janë shumë dakord me bojkotin tonë”, tha një nga studentët.

Ndryshe nga protesta e ditës së hënë, ditën e sotme studentët nga viti i dytë deri në vitin e gjashtë patën edhe mbështetjen e studentëve të vitit të parë.

“Pasi biseduam me to dhe u shpjeguam të gjithë situatën, studentët e vitit të parë vendosën të bëhen pjesë e këtij bojkoti dhe tani jemi të gjithë studentët e mjekësisë që protestojmë dhe bojkotojmë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë