Kryeministri në largim Ramush Haradinaj ka dhënë sot një lajm të mirë për të gjithë shqiptarët e Kosovës duke deklaruar se liberalizimi i vizave me Prishtinën mund të ndodhë më 1 nëntor.
I pyetur nga mediat në Prishtinë për premtimet e vazhdueshme për liberalizim të vizave, Haradinaj ka thënë se liberalizimi mund të ndodhë më 1 nëntor ose para Krishtlindjeve.
"Zgjedhjet janë më 6 tetor dhe deri atëherë nuk do të ndodhë, por më 1 nëntor ose edhe para Kërshëndellave do të ndodhë", deklaroi Haradinaj.
Por sa realist është ky skenar? Ddorëheqja e papritur e kryeministrit Ramush Haradinaj në nëntor mund të ketë pasojat e saja në proceset e integrimit euro-atlantik të Kosovës.
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha ka paralajmëruar së fundmi se procesi i liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian do të zvarritet edhe më tej me zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Pavarësisht premtimit të vazhdueshëm për heqjen e vizave, Hoxha ka deklaruar të se ndërrimet në qeverisje nuk janë një ogur i mirë për proceset integruese të vendit.
Hoxha thekson se ende shpreson se mund të ketë një moment për heqjen e vizave, sepse sipas saj qeveria Haradinaj i ka përmbushur të gjitha kushtet e vendosura nga Bashkimi Europian.
“Shpresojmë të kemi një moment pozitiv për liberalizimin e vizave, i cili do të ishte rikonfirmim i angazhimit tonë gjithëpërfshirës dhe konsekuent për t’i zbatuar 95 kushtet për heqjen e tyre”, ka shtuar ajo.
Hoxha është shprehur tejet e zhgënjyer me Bashkimin Evropian, duke thënë se ishte në pritje të një datë konkrete për heqjen e regjimit të vizave.
Ajo ka konfirmuar se disa shtete të BE-së, kanë dalë haptazi kundër liberalizimit të vizave. Madje ajo përmend edhe Gjermaninë, e cila sipas saj nuk po ndërmerr asnjë për t’i bindur vendet tjera që të votojnë për heqjen e vizave për Kosovën.
“Tani po shohim një hezitim nga disa shtete anëtare siç është Franca, Holanda, deri diku edhe Gjermania nuk ka një mendim të qartë, pavarësisht faktit që ministri i Brendshëm i ka thënë ‘po’ liberalizimit të vizave për Kosovën, mirëpo në anën tjetër në takimin e Këshillit të Ministrave të Punëve të Brendshme, i cili u mbajt me 6 dhe 7 qershor, nuk u diskutua asgjë për Kosovën. Pra as Gjermani dhe asnjëra nga këto shtete nuk e hapi temën e liberalizimit të vizave. Kjo na bënë të kuptojmë se pa u arritur një konsensus mes anëtarëve të BE-së nuk do të kemi një vendim në Këshillin e Ministrave. Shpresoj që ky vendim të merret sa më shpejt, mirëpo procesi është në duar të shteteve anëtare”, deklaron ministrja Hoxha.
Burime nga qeveria Haradinaj konfirmuan disa muaj më parë për Gazetën “Si” se kancelarja Merkel e kishte thirrur kryeministrin e Kosovës për t’i kërkuar edhe njëherë heqjen e taksës ndaj produkteve serbe dhe atyre boshnjake. Sipas zyrtarëve Merkel është zotuar të çonte përpara procesin e liberalizimit, duke e bërë të mundur heqjen e vizave për shqiptarët e Kosovës muajt e ardhshëm. Por duke qenë se Ramush Haradinaj nuk është tërhequr nga ky vendim, Berlini zyrtar duket të mos i këtë bërë presion vendeve të tjera për heqjen e regjimit të vizave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.