Ne rrjet

Kosovë, sërish rinumërim votave të dërguara me postë nga Serbia

Të hënën, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, vendosi të anulojë votat e dërguara me postë nga Serbia si dhe të çojë në rinumërim 1472 vendvotime.

Vendimi pasoi vlerësimin e mbi 100 ankesave që u paraqitën javën e kaluar nga partitë politike pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit.

“Paneli 53 ankesa i ka pranuar si të bazuara, prej tyre lidhur me 52 ankesa paneli ka vendosur që të urdhëroj Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për rinumërimin e 1 mijë e 472 vendvotimeve. Ndërsa lidhur me ankesën e parashtruar nga Koalicioni Nisma – AKR – PD, ka vendosur që të pranojë të bazuar ankesën dhe ka urdhëruar KQZ-në që të largojë nga rezultati përfundimtar i zgjedhjeve votat e votuesve jashtë Kosovës të ardhura nga Serbia” thuhet në njoftimin për media të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Sipas rezultateve të shpallura të enjten e kaluar kryeson Lëvizja Vetëvendosje.

Vendimi i sotëm i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa pritet ta shtyjë edhe për një kohë certifikimin e këtyre rezultateve, një proces ky që po e presin dy partitë e para për t’i hapur rrugë arritjes së një marrëveshjeje për bashkëqeverisje.

Njohës të çështjeve politike në Kosovë në vazhdimësi kanë tërhequr vëmendjen për zvarritje të procesit të certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të gjashtë tetorit, duke nënvizuar se një zvarritje e tillë mund të sjellë boshllëk institucional në Kosovë.

Rinumërimi i urdhëruar të hënën mund të çojë edhe në ndryshimin e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve dhe koalicioni NIMSA-AKR-PD shpreson të kalojë pragun zgjedhor prej 5 për qind dhe të jetë pjesë e parlamentit.

 

Më Shumë