Art dhe Kulture

Kosova u nderua me ‘Mirënjohjen e Veçantë’ në La Biennale di Venezia 2024

Doruntina Kastrati dhe instalacioni skulpturor “Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës” u nderua me “Mirënjohje të Veçantë për Përfaqësim Shtetëror” në ceremoninë e edicionit të 60-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit — La Biennale di Venezia 2024.

Projekti artistik “Heshtjet kumbues të metalit dhe lëkurës” ka për fokus gratë në ekonominë e periudhës së tranzicionit. Trajton punën e feminizuar, pabarazitë në vendin e punës dhe pasojat e tyre në një fabrikë llokumesh në Prizren.

Kuratorja Erëmirë Krasniqi paraqet në instalacion katër objekte skulpturore: dy prej tyre të modeluara sipas lëvozhgave të llojeve të ndryshme të arrave, të përdorura në prodhimin e llokumeve, dhe dy të tjerat sipas formës së protezave të përdorura për implantet kirurgjike në gjunjë, të cilat reflektojnë operimet që u janë nënshtruar këto gra për shkak të orareve të gjata të punës në këmbë.

Instalacioni përcillet nga një projekt tingullor kompozuar nga Paul Hauptmeier dhe Martin Recker.

Pavijoni i Kosovës në edicionin e 60-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit — La Biennale di Venezia është kuruar nga Hana Halilaj, kuratore pranë Galerisë Kombëtare të Kosovës dhe organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Pavijoni i Kosovës si dhe Ekspozita Ndërkombëtare e Artit — La Biennale di Venezia mbesin të hapura deri më 24 nëntor, 2024. (ATA)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë