Një pikturë e Vincent van Gogh, e realizuar në vitin 1890, është shitur për 190.4 milionë dollarë në ankandin e Sotheby’s në Nju Jork, duke shënuar një rekord për artistin në ankand këtë sezon. Vepra “Chataigniers en fleurs” (Gështenjat në lulëzim), e realizuar në Auvers-sur-Oise të Francës, u ble nga tregtari i artit William Acquavella, drejtues i Acquavella Galleries.
Piktura ishte në qendër të një mosmarrëveshjeje me trashëgimtarët e Samuel Fischer, botuesit gjerman me origjinë hebreje, të cilët pretendonin se familja e tij ishte detyruar ta shiste veprën në vitin 1936, për shkak të vështirësive financiare të shkaktuara nga regjimi nazist. Ata kërkuan që të provohej se shitja ishte kryer me vlerën e tregut dhe se vendimi nuk ishte diktuar nga persekutimi politik.
Vepra ishte blerë në Paris nga Fischer në vitin 1909 dhe në vitin 1975 u bë pronë e familjes Blaquier-Arrieta, e cila e mbajti për më shumë se gjysmë shekulli. Para ankandit, Sotheby’s njoftoi se ishte arritur një marrëveshje mes familjes Blaquier-Arrieta dhe të gjithë trashëgimtarëve ligjorë të Samuel dhe Hedwig Fischer, duke i dhënë zgjidhje mosmarrëveshjes mbi shitjen.
Avokati i trashëgimtarëve, Gunnar Schnabel, deklaroi pas ankandit se familja shpreson që zgjidhja e shpejtë dhe e drejtë e çështjes të shërbejë si inkurajim për familjet e tjera që janë përballur me persekutimin gjatë periudhës naziste. Trashëgimtarët shprehën mirënjohje për bashkëpunimin, i cili mundësoi njohjen e vuajtjeve të familjes dhe nderimin e përpjekjeve të Gisela Berman Fischer për të vendosur drejtësi.
Shitja tejkaloi rekordin e mëparshëm në ankand për një pikturë të Van Gogh, prej 117.2 milionë dollarësh, të vendosur në vitin 2022 me veprën “Orchard ëith Cypresses”. Megjithatë, një tjetër pikturë e artistit, “Le Zouave”, raportohet se ishte shitur privatisht për rreth 190 milionë dollarë më pak se një vit më parë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje