Ne rrjet

Kosova u ndalon hyrjen të gjithë zyrtarëve serbë!

Pas përpjekjeve të Beogradit zyrtar për inskenimin e një krizë humanitare në veri të Kosovës, Prishtina zyrtare duket se ka marrë sot një vendim drastik duke ndaluar hyrjen e zyrtarëve serbë në territorin e saj.

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka njoftuar që asnjë zyrtaringa Beogradi nuk do t’i jepet leje pët të hyrë në shtetin e Kosovës. Sipas zyrtarëve në Prishtinë, ky vendim është marrë pas provokimit nga Serbia.

Jetlir Zyberaj, këshilltari i ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka shkruar në profilin tij në Facebook se për shkak të kërcënimeve, inskenimeve në veri por edhe çështjeve tjera, ministria e Punëve të Jashtme e ka parë të arsyeshme të marrë këtë vendim.

“Për shkak të kërcënimeve hibride që Serbia po bën ndaj Kosovës, propagandës së vazhdueshme dhe lajmeve fake ndaj vendit dhe qytetareve tanë dhe përpjekjet e fundit për të inskenuar një krizë humanitare në veri të Kosovës duke kërcënuar popullsinë serbe që jeton atje dhe duke i detyruar ata të mbyllin bizneset e tyre vetëm për shkak të disa objektivave politike të Beogradit, Ministria e Punëve të Jashtme nuk do të lejojë asnjë zyrtar nga Beogradi për të vizituar Kosovën dhe të gjitha kërkesat do të refuzohen për aq kohë sa kjo sjellje vazhdon”, ka shkruar Zyberaj.

Mediat në Prishtinë shkruajnë se në Veri të Mitrovicës të gjitha dyqanet janë të mbyllura që nga mëngjesi i ditës së hënë. Sikur të mos mjaftonte kjo, në shenjë solidarizimi, janë mbyllur edhe kafenetë, farmacitë, pikat e karburanteve, si edhe shërbimi taksi.

Ky është përshkallëzimi më i madh i situatës, shtatë muaj pasi Qeveria e Kosovës vendosi një taksë prej 100 për qind, për mallrat nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Sipas një krize të inskenuar nga Beogradi zyrtar, kryebashkiaku serb i Mitrovicës së Veriut thotë se në qytet nuk ka më mallra për shitje, veçanërisht produktet e qumështit, miellit, vajit si dhe produkte të tjera.

Në kundërpërgjigje, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj njoftoi hapjen e disa dyqaneve shtesë në veri të Kosovës, duke deklaruar se qeveria do të mbrojë qytetarët. Sipas tij, “kriza humanitare në veri” është një inskenim i autoriteteve të Beogradit.

“Simulimi i katastrofës humanitare nga ana e Serbisë është një tjetër përpjekje e dështuar për destabilizim. Pas demaskimit të këtij skenari, të paralajmëruar kohë më parë, Qeveria e vendit mbetet e përkushtuar për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët e saj, pa dallim”, tha Haradinaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë