Ne rrjet

Kosova tërheq kërkesën për antarësimin në INTERPOL

Në vendimin e tij të fundit si Kryeministër në detyrë, Ramush Haradinaj, ka kërkuar tërheqjen e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Organizatën ndërkombëtare të Policisë (INTERPOL) dhe shtyrjen e kësaj kërkesë për vitin e ardhshëm.

Lajmin u konfirmua nga zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës në largim, Donjeta Gashi.
“Duke marrë parasysh rrethanat e krijuara, bazuara në kompetencat si Kryeministër në detyrë, sot kam kërkuar shtyrjen e votimit të Kosovës për anëtarësim në INTERPOL, për vitin e ardhshëm”, ka cituar Gashi deklaratën e Haradinajt

Kosova kishte aplikuar për pranim në INTERPOL në janar të këtij viti dhe kërkesa e saj ishte pranuar nga Komitetit Ekzekutiv të Interpolit.

Kosova nuk ka pengesë teknike për anëtarësim në INTERPOL, por politike dhe shkaku është Serbia. Ajo i plotëson kriteret operacionale dhe teknike për të qenë pjesë e kësaj organizate policore. Por problemi kryesor në këtë rast për Kosovën është beteja politike për të siguruar votat e dy të tretave të anëtarëve të INTERPOL-it, të nevojshme për anëtarësim, që nënkupton votat e 120 vendeve.

Kosova nuk kishte arritur t’i sigurojë këto vota vitiin e kaluar dhe sipas analistëve, situata nuk duket të jetë e favorshme për Kosovën as në tentativëne këtij viti, në Kili.
Por pavarësisht asaj që dëshiron ose jo Serbia, pranimi i Kosovës në këtë organizatë varet edhe nga shtetet tjera, para së gjithash Rusisë.

“Rusia herën e kaluar me votën e saj e ka ndaluar procesin, por Rusia nuk e ka hequr nga agjenda e ditës çështjen e pranimit të Kosovës në INTERPOL dhe në qoftë se kjo ndodhë sërish, ky mund të jetë sinjal që Rusia edhe më tej ka një potencial më të fortë negociues lidhur me Kosovën”, thotë analisti Armand Muja.

Serbia e ka nisur fushatën kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL menjëherë pas përsëritjes së kërkesës nga Kosova në janar të këtij viti dhe ka intensifikuar betejën e saj diplomatike në fund të verës. Në gusht, ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçic dhe ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, kanë mbajtur një takim të përbashkët duke hartuar një strategji kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL.

Ata kanë pasur një varg takimesh me përfaqësuesit diplomatikë të vendeve të huaja në Beograd, të cilët i kanë paralajmëruar se pranimi i Kosovës në INTERPOL do të sillte pasoja të dëmshme për dhe anëtarët e tij, si dhe do të sillte keqpërdorimin e bazave të kësaj organizate ndërkombëtare policore”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë